Nishani: Kërcënimi është vëllai i korrupsionit dhe që të dy pjella të Mafies

Ish-presidenti Bujar Nishani ka reaguar përmes një statusi në facebook lidhur me situatën e krijuar në vend pas tërmetit shkatërrimtar.

Në një shkrim të gjatë në “facebook”, me titull: “Kërcënimi është vëllai i korrupsionit dhe që të dy pjella të Mafies”, Nishani shkruan se Kohët e vështira të pas-tërmetit po tregojnë edhe një herë më shumë sistemin, modelin dhe mekanizmin e mafies që është ndërtuar mbi këtë tokë. Mu ashtu siç ishin ngritur mashtrimet e betonit të vjedhur për të zezën e shqiptarëve.

Shkrimi i ish-Presidentit Nishani

“Kërcënimi është vëllai i korrupsionit dhe që të dy pjella të Mafies” !

Kohët e vështira të pas-tërmetit po tregojnë edhe një herë më shumë sistemin, modelin dhe mekanizmin e mafies që është ndërtuar mbi këtë tokë.
Mu ashtu siç ishin ngritur mashtrimet e betonit të vjedhur për të zezën e shqiptarëve.
Kryepërgjegjësi i problemeve madhore që vuajnë shqiptarët sot, që nga varfëria e deri tek inekzistenca e shtetit përdori përsëri, siç bën çdo ditë e me këdo, dhunën e forcës së paligjëshme të pushtetit.
Kryepërgjegjësi i shërbimeve ndaj qytetarëve dhe vendit, ju kërkoi bisneseve private të pastrojnë falas dëmet e tërmetit sipas formulës së prishjeve dhe pastrimit të Lanës.
Kujtojmë fare mirë se klientët e bashkisë së asaj kohe u angazhuan në prishjet e shëmtuara dhe të paligjëshme të buzë Lanës e më pas u shpërblyen me xhunglën e betonit që ngritën si perandori të tyre cep më cep të Tiranës duke mos lënë mangut toka publike të parqeve, shkollave, kinemave të qytetit, pasurisë publike të shqiptarëve.
Kjo nuk është ndonjë zotësi qeverisëse, as kontribut vullnetarizmi por skemë e pastër mafie.
Të japësh 5 nga xhepi yt dhe të marrësh 100 nga xhepi i pasurisë së shqiptarëve nuk është filantropi por KORRUPSION !
Në rastin e Lanës, ky korrupsion i lindur pas pazarit të llojit mafioz, solli katastrofën urbane dhe sociale në kryeqytet, solli një xhungël betoni me pallate që plasën si mullarët e kashtës sapo ra tërmeti i parë.
Ky ishte modeli dhe shembulli si pjellë e mafias që pasurohej mbi pronat, të drejtat dhe financat e qytetarëve të thjeshtë.
Parimi i ndihmës e vullnetarizmit është një parim normal, i nevojshëm dhe mirënjohës moralisht.
Cilido që mundet dhe ka kapacitete duhet të kontribuojë vullnetarisht.
Por nuk mund të pranohen pazaret me fatkeqësitë nga njëra anë për të zhvatur pastaj pasuritë publike të shqiptarëve, nga ana tjetër.
Kur ky model ngrihet përmes kërcënimit të fuqisë së paligjëshme të pushtetit që të fitojnë përsëri oligarkët, atëhere nuk kemi solidaritet dhe shërbim të shtetit !
Kjo është Mafie !
Paratë e shqiptarëve ndaj mblidhen nga taksat që rriten e shtohen përditë.
Që të përdoren përsëri për shqiptarët, për nevojat e tyre e kur atyre duhet tu shërbehet në nevojë.
Por në rregjimin e sotëm, paratë nuk shkojnë tek ata por tek oligarkët.
Pse miliardat e konçensioneve kurruptive nuk përdoren sot për hallin e shqiptarëve ?
Ato nuk u përdorën as dje për të patur gati makineri, paisje, mjete e njerëz për shpëtimin e qytetarëve nga fatkeqesitë që mund të vijnë, por për pasurimin korruptiv të oligarkëve që ndajnë hajninë me pushtetarët.
Ndaj ato nuk mund të përdoren as sot kur populli është nën fatkeqësi.
Tek shohim e dëgjojmë sot kryepërgjegjësin që na flet për modelin e Lanës shohim se si historia nis të përsëritet.
Historia nis të përsëritet sepse mafia e betonit dhe pushteti i korrupsionit nuk u hetuan e nuk u dënuan.
Sot mafia dhe korrupsioni janë më të fortë se në kohën e Lanës.
Por sot janë edhe motivi edhe arsyeja më të fortë për ti shpartalluar.
Kot të shpresojnë se do ketë Dvoran ti shpëtojë !