Ngjela: Qeveria po prish pallatet, vendin e krimit

Në Open në Top Channel u zhvillua një debat i fortë mes zv.ministrit Artan Shkreli dhe avokatit Spartak Ngjela.

Në një lidhje direkte nga Durrësi zoti Shkreli tha se ndërtesat që janë shembur me urdhër dhe me shkrim të Këshillit Bashkiak.

“Për sa i përket hetimeve të prokurorisë ajo ndërtesat i ka aty, mund të vijë të hetojë. Ne nuk mund të presim 1 shekull  sepse grupi në terren po bën inspektimet. Mund të marrë inspektimet e grupeve në terren”- tha Shkreli.

“Po ju nuk njihni ligjin. Prokuroria ju thyen dhëmbët. Nuk mund të prishni pa marrë leje nga Prokuroria. Është krim të prishen vendi i krimit. Nuk ta lejon ligji të shkatërrosh vendin e krimit”- tha Ngjela.

Avokati Spartak Ngjela dhe gazetari Carlo Bollino thuajse kanë qenë në të njëjtin mendim lidhur me akuzat që ka ngritur sot prokuroria për pallatet që janë shembur, apo që janë dëmtuar dhe kërkojnë riparime të plota.

Avokat Ngjela tha “nuk duheshin prishur pallatet, sepse bashkë me to janë prishur edhe gjurmët dhe kjo është e tmerrshme. Prokuroria duhet të kishte ndërhyrë menjëherë, sepse tani nuk ka më prova që të mbajnë në këmbë akuzat ndaj ndërtuesve, apo atyre që kanë dhënë lekë”.

Sipas Ngjelës, të gjithë ndërtuesit duhet të vuajnë akuzat më të rënda, jo të dalin me shpërdorim detyre, apo ndërtim pa leje. Ngjela shkoi edhe më tej, duke thënë se nuk duhet të ishin legalizuar ato objekte pa asnjë vlerë ndërtimore, apo strukturore.

Ndërsa Bollino bëri një krahasim të thjeshtë. Ai tha se në Itali, në raste të tilla që janë të shumta dhe me shumë viktima, Drejtësia ka ngritur akuzë për vrasje të shumëfishtë. Prokurori i ka provat aty, se për hetim duhet shikuar cilësia e betonit dhe hekurit”.

I ashpër u tregua avokati Spartak Ngjela me atë që ai e quan mafia e ndërtimit.

Çfarë është kjo mafia e ndërtimit?- e pyeti Eni Vasili avokatin.

“Dhe shikuar korrupsioni në vendin tonë. Korrupsioni është i lidhur me ndërtimet. Unë kam kërkuar aleatëve tanë SHBA-së të hetojë nëpërmjet FBI-së.

A e dini ju se duhet të hetohet kjo. Si vrasje e thjeshtë. Prokuroria po heton për shpërdorim detyre. Këtu ka viktima duhet të hetohen për vrasje”- u shpreh Ngjela.

Po pse mafia nuk ndërton mirë?- e pyeti Eni Vasili sërish avokatin.

Po mafia nuk ndërton mirë sepse ndërton aty ku nuk lejohet. Ndërtojnë në rërë aty ku ka ujë. I marrin lejet sepse i kanë paguar të gjithë- tha avokati.