Letra e Agron Tufës: Në nëntor qentë e liruar nga zinxhiri i diktaturës iu afruan familjes sime

Ditën e sotme, Bordi i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit ka pranuar dorëheqjen e Drejtorit Ekzekutiv, Agron Tufa.

Në një letër të gjatë, shkruar nga kampi i një vendi të Evropës ku ka fituar azil politik së bashku me familjen e tij, Tufa tregon edhe arsyen e dorëheqjes, e cila lidhet me kërcënimet që i janë bërë së fundmi atij personalisht dhe familjes së tij, nga ata që ai i quan qentë e liruar nga zinxhiri i diktaturës së vjetër në diktaturën e re”.

Tufa thekson se kërcënimet kanë nisur pas publikimit në shtyp të një dëshmie rrëqethëse të një nëne nga familja “kulakë”, që rrëfen hollësi, me data dhe emra personash rrëmbimin e djalit të saj dhe mbajtjen fshehur në një koloni fëmijësh, që shfrytëzohej për t’i transplantuar gjak diktatorit.

Gjithashtu Tufa njofton se nga kampi i azilkërkuesve politikë do ta vazhdojë misionin e tij për dokumentimin e krimeve të komunizmit.

Më poshtë gjeni pjesë nga letra e Tufës:

Viti i fundit i nderuar kryetar ishte veçanërisht i tensionuar, duke u vënë përballë falangave më të egra të enverizmit, të veshur me pushtet të lartë politik, ekonomik e administrativ. Besoj, i nderuar kryetar, se e kam dëshmuar bindshëm kurajën dhe gatishmërinë për t’iu përgjigjur e përballur të gjitha sulmet, kërcënimet, fushatat shpifëse e linçuese, të ujdisura nga dora më e zezë e shefave të ish-Sigurimit, nga deputetë, ish-deputetë e ish-diplomatë, të cilët me veglat e tyre si ish-bashkëpunëtorë të Sigurimit e përqendruan sulmin në rrafshin personal, deri në kërcënimet e disa fishta me vdekje…

Nga ana tjetër ky sekt i trashëgimisë enveriste (të cilët i kam diskredituar në shtyp me dokumente arkivorë së çfarë vrasësish janë, i kam hedhur në gjyq etj), tentoi deri në fund të shpërbënte ISKK-në dhe, përmes amendimeve të neneve të Ligjit tonë, të shmangte nga ekzekutivi drejtuesit, duke shpresuar ta kontrollonin atë.

Paralajmërimet e tyre nisën të dëgjoheshin qyshkur ne bëmë kallëzimin e parë penal ndërkombëtar në Gjykatën e Mynihut të një prej kriminelëve të kamp-burgjeve komuniste (Edmond Caja) dhe e dubluam këtë edhe me kallëzimin institucional në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë (në të dyja rastet për krime kundër komunizmit). Dy javë më vonë oficerët e ish-sigurimit, shokë e kolegë të Cajes,vunë në punë skenarin mafioz me ekzekutimin e dëshmitarit kyç, të ndjerin Haxhi Baçinozi (16 mars 2019)…

Por në mënyrë më këmbëngulëse kërcënimet ndaj meje dhe familjes sime u dendësuan pas publikimit në shtyp të një dëshmie rrëqethëse të një nëne nga familja “kulakë”, që rrëfen hollësi, me data dhe emra personash rrëmbimin e djalit të saj dhe mbajtjen fshehur në një koloni fëmijësh, që shfrytëzohej për t’i transplantuar gjak diktatorit…

I ndodhur vetëm , fillikat me familjen time përballë kërcënimeve të vazhdueshme, pa asnjë garanci mbrojtjeje, me një drejtësi që nuk reagon, mua i nderuar kryetar nuk më mbeti rrugë tjetër, sepse ushtrimi i të drejtave të mia legjitime mbrojtëse e demokratike nuk kishte më pikë kuptimi. Tek e fundit, në një reagim politik sundues që thërret në ndihmë, stimulon dhe bëhet “parajsë” për ish-oficerët e Sigurimit të diktaturës, iluzioni se jeta ime dhe e familjes mund të bëhej, me kalimin e kohës, “më normale” është e mbetet donkishotizëm naiv me pasoja fatale.

Është ky i nderuar kryetar shkaku i dorëheqjes sime që parashtroj në këtë letër në një nga kampet e azilkërkuesve politikë. Dy herët e fundit brenda muajit nëntor, qentë e liruar nga zinxhiri i diktaturës së vjetër në diktaturën e re iu afruan shumë afër familjes sime. Kush do të më mbronte mua dhe fëmijët e mi? Unë pata kohën e mjaftueshme për ta kuptuar se kush janë ata se çfarë janë në gjendje të bëjnë…

Misioni im do të vazhdojë në kushte të tjera, jo më pak të efektshme se ato që pata kënaqësinë dhe krenarinë të kem brenda ISKK-së.

Kujtojmë se prej disa kohesh Tufa kishte marrë disa kërcënime përmes mesazheve qe i dërgonin edhe ne rrjetet e veta sociale, madje shume syresh ai i ka denoncuar edhe ne media. Shkrimtari Tufa, njëherësh publicist dhe pedagog vjen nga shtresa e te përndjekurve politike te komunizmit. Ai ka drejtuar ISKPK që nga themelimi i institutit ne vitin 2010 deri më sot.

Para disa kohësh Tufa pranoi publikisht se deputeti socialist Spartak Braho e ka kërcënuar dhe një intervistë për gazetën “Panorama” i bëri thirrje drejtësisë që të ndërhyjë për të parandaluar ndonjë tragjedi. Sipas tij, Spartak Braho ka dënuar politikisht gjatë kohës së regjimit të Enver Hoxhës njerëz të pafajshëm, duke i mbyllur në çmendi.