Interi merr një lajm të keq, edhe Sensi mbyll para kohe vitin nga dëmtimi

Interi në fundjavë mori kryesimin e Seria A, ndrkohë që është ende në garë për të siguruar një biletë për në fazën tjetër në Champions League, nëse arrin të mundë Barcelonën. Problemet ndërkohë me dëmtimet nuk kanë të sosur.

 

Pas Barellës, që do të rikthehet vetëm në janar, e njëjta periudhë rikuperimi duket se nevojitet edhe për mesfushorin tjetër Stefano Sensi, që u mungon zikaltërve që prej 6 tetorit kur luhej sfida Inter-Juventus. Mesfushori, që po kalonte një moment mjaft të mirë të karrierës, u rikthye 20 minuta në sfidën Borussia Dortmund-Inter, por dëmtimi nuk kishte kaluar ende dhe drejtuesit e klubit u detyruan ta çojnë në Mynih për një kontroll të specializuar.

Sipas mediave italiane, kontrolli është bërë tashmë dhe mjeku gjerman ka konfirmuar se Sensi nuk mund të rikthehet në fushë më herët sesa fillimi i vitit të ardhshëm, kohë në të cilën pritet edhe rikthimi i Barellës.

Por deri atëherë Interi ka edhe 4 ndeshje për të luajtur, teksa do të presë Romën, Barcelonën e Genoa-n dhe do të udhëtojë në Firence, përballë Fiorentinës, takime për të cilat Conte do të ketë në dispozicion vetëm 4 mesfushorë, si Brozovic, Vecino, Gagliardini dhe Borja Valero.