“Akull” e Capital T rikthehet në YouTube

Kënga e re e reperit shqiptar, Trim Ademi i njohur me emrin artistik si Capital T, është rikthyer në platformën digjitale, YouTube, pas disa ditëve.

Kjo pasi projekti i tij thuhet se ishte bllokuar, për shkak të disa elementeve që kishte marrë nga “Galliyan”, kolonë zanore e filmit të famshëm të BollyWood-it “Ek Villain”.

Capital T kishte përdorur një pjesë me motive indiane dhe ndjekësit e kuptuan menjëherë se ajo ishte e kopjuar dhe mbase kjo ishte arsyeja e fshirjes nga YouTube.

“Akull” rikthehet në YouTube (Foto: Instagram)

Megjithatë, “Akull” është kthyer sërish dhe njoftimin për fansat Kapo e bëri përmes një postimi të publikuar në llogarinë e tij personale, Instagram.

Kjo tashmë ka arritur mbi 1.3 milionë klikime në YouTube dhe duket se fansat mezi po e prisnin rikthimin e reperit 28-vjeçar.

Kapo përndryshe gjatë kësaj kohe ka qenë mjaft i angazhuar për t’iu dalë në ndihmë të prekurve nga tërmeti i 26 nëntorit që la mbi 50 persona të vdekur, e qindra të tjerë të lënduar.