Tërmeti shkatërrues, Prokuroria nis hetimin ndaj personave përgjegjës

Pesë ditë pasi tërmeti i fuqishëm i 26 nëntorit goditi Shqipërinë, Prokuroria e Durrësit dhe e Tiranës, ka regjistruar çështjen penale që i referohet tragjedisë në fjalë, ku si pasojë e tij janë shembur një numër ii lartë ndërtesash që kanë shkaktuar vdekjen e 51 personave. Në lidhje me këtë rast që futi në zi Shqipërinë, dyshohet se pasojat e rënda në jetë njerëzish kanë ardhur si shkak i ndërtimeve pa leje dhe të mos kryerjes së detyrës nga inxhinierët zbatues dhe personave të tjerë përgjegjës për mospërmbushjen e rregullt të punës.

Për këtë dyshohet se pasojat kanë ardhur si shkak i ndërtimeve pa leje dhe të moskryerjes së detyrës nga inxhinierët zbatues dhe personave përgjegjës si dhe nga mospërmbushja e rregullt e detyrës nga nëpunësit shtetëror të ngarkuar me mbikëqyerjen e këtyre ndërtimeve. Çështja është regjistruar për veprat penale; “Ndërtim pa leje”, dhe “Shpërdorim detyre”, parashikuar nga nenet 199/a, 3 dhe 248 k.penal.

Në Tiranë dhe në Durrës janë tre hetime. Një hetim është për godinat e shembura që lanë pas viktima nënë rrënoja. Hetimi i dytë po kryhet për 200 godina të dëmtuara në Durrës. Ndërsa hetimi i tretë është për godinat e dëmtuara në Tiranë. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka filluar kryesisht hetimet në lidhje me situatën e krijuar nga fatkeqësia natyrore. Hetimi ka si objekt kryerjen e veprimeve të shpejta në drejtim të sqarimit të rrethanave konkrete, që kanë çuar në pasojat e ardhura dhe gjendjen e ndërtimeve.

Veprat penale që po hetohen janë ato të shpërdorim detyre, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, ku do hetohet për organet që kanë miratuar lejet e ndërtimit dhe nëse ato janë dhënë në mbështetje të ligjit, si dhe nëse ndërtuesit kanë respektuar lejen e marrë, ndërtim i paligjshëm, parashikuar nga neni 199/a i Kodit penal, dhënia e ndihmës për ndërtim të paligjshëm, neni 199/b i Kodit Penal. Në lidhje me këtë hetim Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka ngritur një grup hetimor. Në vijim të veprimeve të kryera, i kërkohet informacion Bashkisë së Tiranës për banesat e evidentuara tashmë si të prekura nga tërmeti dhe të klasifikuara jo në kushtet e duhura për banim. I njëjti informacion i është kërkuar dhe strukturave të tjera shtetërore.

Kryeministri Edi Rama apeloi të gjithë ndërtuesit, godinat e të cilëve kanë pësuar dëme të riparueshme, që nuk cenojnë qëndrueshmërinë e godinës, të paraqiten vet, pranë shtabit të emergjencave në Durrës dhe të bëjnë deklaratën për riparimin e dëmeve. ”Duhet të bëj apel për të gjitha ata që kanë ndërtuar godina kolektive dhe hyjnë te godinat e dëmtuara por jo të rrezikshme të paraqiten vet, urgjentisht, në zyrën përkatëse të emergjencës, ose në zyrën e shtabit të emergjencës, në Durrës dhe të bëjnë deklaratën e gatishmërisë për t’i paguar një për një, të gjitha riparimet nga ato sipërfaqësore, deri te dëmet materiale që ju janë shkaktuar njerëzve për shkak të dëmtimeve të ndërtesës nga tërmeti”. Rama shpjegoi se bëhet fjalë për ndërhyrje që nuk kërcënojnë qëndrueshmërinë e ndërtesës, por që vënë në pamundësi banueshmërinë e saj dhe që kanë të bëjnë me abuzime të ardhura gjatë ekzekutimit të lejes së ndërtimit. Më tej, ai vuri në dukje, se ndërtimet e reja të bëra nga mesi i viteve 1990 e pas në 99.99% të tyre kanë qëndruar më së miri përballë tërmetit. Në disa raste shtoi Rama, kemi të bëjmë me abuzivizëm nga individë dhe jo kompania që ka bërë ndërtimin dhe veç në një pjesë të vogël, kemi të bëjmë me kompani që kanë abuzuar me vet lejen.