Messi shkon me familjen në Paris për “Topin e Artë”

Lionel Messi bashkë me familjen udhëton për Paris, ku pritet të kurorëzohet me çmimin “Topi i Artë 2019”.

Cristiano Ronaldo dhe Virgil van Dijk, janë kandidatët tjerë për të fituar këtë çmim për vitin 2019.

Ylli i Barcelonës ishte në shoqërinë e gruas së tij, Antonellës, dhe fëmijëve, Thiago e Mateo.

32-vjeçari është favoriti kryesor për ta fituar “Topin e Artë” pas një sezoni të shkëlqyer me Barcelonën.

Sipas shkrimeve në mediat botërore në javën e fundit, argjentinasi në fakt është zgjedhur tashmë si fitues i çmimit më prestigjioz individual në futboll.

Por Van Dijk pritet t’i bëjë konkurrencë të fortë argjentinasit sonte në mbrëmje në Paris.

Messi dhe Van Dijk bënë paraqitje të shkëlqyera në fundjavën e fundit para shpalljes së fituesit, duke treguar përse janë në garë të ngushtë për ta fituar çmimin e ndarë nga revista prestigjioze franceze, “France Football”.

Cristiano Ronaldo s’do të marrë pjesë në ceremoni, sinjale të tjera se tashmë ashtu siç raportojnë edhe mediat, Messi mund të jetë afër të rrëmbejë për herë të gjashtë në karrierë “Topin e Artë”.