Konstruktori: Në Shqipëri, edhe inxhinieri elektrik bën projekte ndërtimi…

Konstruktori Arben Dervishi i cili ka ndihmuar qeverinë në ekspertizën e objekteve të dëmtuara nga tërmeti për të parë cilësinë e punimit të tyre, thotë se aty ku ka pasur ndërtues seriozë nuk është pësuar asnjë dëm. Por e kundërta ka ndodhur aty ku projektuesit nuk kanë menduar për ruajtjen e jetës së njerëzve, dhe që nuk janë fortësuar muret.

“Në ato vende ku është bërë një projekt serioz, objektet nuk kanë asnjë lloj dëmtimi, ose dëmtime minore që nuk ndikojnë në ruajtjen e jetës. Kur projektohet një objekt me tërmetin maksimal, parashikojmë që në objekt do të ketë dëme materiale, por qëllimi është të ruhet jeta e njerëzve. Fakti që humbën jetë njerëzish nuk e arritën qëllimin për të cilin ishin projektuar. Që do të thotë se projektet kanë pasur mangësi. Nga verifikimet që kam bërë, kishte objekte që ishin me skelet të padëmtuar por struktura që kishte zgjedhur projektuese ishte e tipit ramë, kolona dhe trarë, ndërkohë në zona të tilla do të ishte e mira të shoqërohej edhe me mure. Objekti nuk kishte dëmtime në strukturë, por në muret jo strukturore. Kishte objekte me plasaritje të vogla që nuk përbëjnë problem dhe me kosto minimale ndërtohen. Kishte objekte që linte për të dëshiruar cilësia. Në të vjetrat me tulla para viteve ’90, njerëzit kanë ndërhyrë. Jo vetëm në Durrës por edhe në Tiranë, në katet e para, garazhet, që i kanë ulur rezistencën objektit”, shprehet Arben Dervishi, konstruktor, i ftuar në emisionin “5 Pyetjet nga Babaramo”.

“Abuzimi vjen nga mungesa e supervizorit….Në Shqipëri mungojnë studimet sizmike”

Sipas tij projektet janë të dobëta edhe për shkak se në zonat ku po ndërtohet mungojnë studimet sizmike. Megjithatë, konsturktori thotë se një projektues i mirë di të dallojë ku është zonë ndërtimi e rrezikshme. Ai thotë se abuzimet bëhen edhe për shkak të mungesës së supervizorëve.  “Cilësia e materialeve të ndërtimit ndikon në fortësinë e strukturës. Dy janë materialet, betoni dhe hekuri, që mbajnë gjithë peshën e strukturës. Pjesa tjetër është strukturë e nivelit të dytë të rezistencës. Një beton e çelik i ardhur i pakontrolluar me rezistenca më të ulëta se ç’tregon marka, patjetër që sjell dëme. Kur ka një supervizor serioz nuk mund të bëhet ai dëm. Abuzimi bëhet në ato vende ku mungon supervizori. Sepse në vendin tonë supervizori trajtohet si më i parëndësishmi. Zona si Durrësi, kanë rrezikshmëri sizmike, dhe kërkohen që studimet sizmike dhe gjeologjike duhej të ishin të detajuara, të sakta, sepse aty janë të dhënat bazë që merr projektuesi. Po në bazë të eksperiencës ai mund të mbulojë shumë defekte edhe në mungesë të studimeve”, tha Dervishi.

Përballë gazetarit Ilir Babaramo, konstruktori i njohur tha se abuzimet janë të shpeshta, dhe sipas tij arrihet deri aty sa edhenjë inxhinierë elektrikë ka arritur të bëjë projektin e një ndërtese. “Ka edhe inxhinierë elektrike që kanë bërë konstruksione e projekte ndërtimi”, tha Arben Dervishi.

Ai thotë se zona më e rëndësishme për të ndërtuar është ajo e ish-Kënetës ku tha se në 180 metra thellësi janë depozitime kënetore që e rrisin forcën sizmike. “Dhe kjo ka ndikuar tek objektet, që shumica janë projekt, pa leje, zbatuar me brigada, me njerëz që thonë hajd se e di unë”, shprehet konstruktori në “5 pyetjet nga Babaramo”.

“Ka edhe ndërtime informale 5 katëshe, jo vetëm 1-2 katëshe, dhe nuk është një, janë shumë. Janë bërë ndërtime pa projekte, në zona ku nuk lejohej të ndërtohej. Zona e Kënetës është ndër zonat më të rrezikshme për të ndërtuar. Por nuk mund të ndërtosh në Kënetë me themele të veçuara, por me themele në formë pllake”, shtoi ai.

Konstruktori Arben Dervishi tregon eksperiencën e tij në një shtëpi në zonën e Rrashbullit. “Unë vizitova zonën e Rrashbullit. Ishte një vilë që kishin hedhur gjithë kursimet e tyre. Pashë që kolonat ishin prerë si me gërshërë. Pyeta për projektuesin thanë na erdhi njëri që bënte kallupe dhe e morëm e bëmë. Nëse nuk ndërhyhet shpejt ajo mund të rrafshohet e gjitha”, tha ai.