Dervishi: Duhen eurokodet e ndërtimit, jo me tender se fiton ai që njeh ministrin

Konstruktori Arben Dervishi, i cili ka ndihmuar qeverinë në ekspertizën e objekteve të dëmtuara nga tërmeti për të parë cilësinë e punimit të tyre, thotë se fajtorë janë të gjitha palët, si shteti, individi, ndërtuesit e projektuesit. Të gjithë duhet të mbajnë barrën që u takon në këtë tragjedi që preku Shqipërinë me shembjen e dhjetëra banesave si pasojë e tërmetit, tha Dervishi i ftuar në emisionin “5 pyetjet nga Babaramo” me gazetarin Ilir Babaramo.

“Ne duhet të marrim dhe të aprovojmë normat e reja të projektimit, sot projektohet me norma të projektuara në vitin 1989, me teknologjinë e asaj kohe, të gjitha normat flasin për objekte deri në 6 akte, pjesa tjetër duhet bërë me projektim. Evropa ka kodet e ndërtimit, të projektimit dhe të zbatimit. Ne nuk kemi buxhete të bëjmë kodet tona, por mjafton t’i adoptojmë ato. Të hartojë anekset nacionale. Këtë duhet ta bëjë shteti. Të marrë shkencëtarët dhe t’i paguajë, të marrë specialistët”, u shpreh kontruktori teksa tha se kjo nuk duhet bërë me tenderë.

Nga ana tjetër ai tha se: “Inxhinieri elektrik në Shqipëri bën projekte ndërtimi. Në Rrashbull pashë kolona të prera me gërshërë”. Përballë gazetarit Ilir Babaramo, konstruktori i njohur tha se abuzimet janë të shpeshta, dhe sipas tij arrihet deri aty sa edhenjë inxhinierë elektrikë ka arritur të bëjë projektin e një ndërtese. “Ka edhe inxhinierë elektrike që kanë bërë konstruksione e projekte ndërtimi”.

Ai thotë se zona më e rëndësishme për të ndërtuar është ajo e ish-Kënetës ku tha se në 180 metra thellësi janë depozitime kënetore që e rrisin forcën sizmike. “Kjo ka ndikuar tek objektet, që shumica janë projekt, pa leje, zbatuar me brigada, me njerëz që thonë hajd se e di unë”, shprehet konstruktori në “5 pyetjet nga Babaramo”.

“Ka edhe ndërtime informale 5 katëshe, jo vetëm 1-2 katëshe, dhe nuk është një, janë shumë. Janë bërë ndërtime pa projekte, në zona ku nuk lejohej të ndërtohej. Zona e Kënetës është ndër zonat më të rrezikshme për të ndërtuar. Por nuk mund të ndërtosh në Kënetë me themele të veçuara, por me themele në formë pllake”, shtoi ai.

Konstruktori Arben Dervishi tregon eksperiencën e tij në një shtëpi në zonën e Rrashbullit. “Unë vizitova zonën e Rrashbullit. Ishte një vilë që kishin hedhur gjithë kursimet e tyre. Pashë që kolonat ishin prerë si me gërshërë. Pyeta për projektuesin thanë na erdhi njëri që bënte kallupe dhe e morëm e bëmë. Nëse nuk ndërhyhet shpejt ajo mund të rrafshohet e gjitha”.