A duhen rikthyer fëmijët në shkollë sipas udhëzimit? Flet psikologia: Ajo që përjetuan të mos ndikojë në procesin e nxënies

Në Tiranë është njoftuar se më datë 5 dhjetor do të nisë mësimi për shkollat 9-vjeçare, ndërsa në Durrës procesi mësimor do të fillojë me datë 9 dhjetor. Por a është koha e duhur kjo e parashikuar nga Ministria e Arsimit?

Për të folur për këtë temë, në studion e lajmeve të Fax News ishte e ftuar psikologia Aurela Agalliu, e cila tha se ka një sërë faktorësh që duhet të merren parasysh në këtë kontekst ku radhiti: “Është e nevojshme që fëmijët, por jo vetëm, t’i rikthehen normalitetit. Nga ana tjetër shqetësimi është sesa janë përgatitur këta fëmijë që të shkojnë në shkollë dhe ajo që përjetuan të mos ndikojë në procesin e nxënies. Ata mund të shkojnë në shkollë me mendjen tek prindërit dhe tek shtëpia.

Duhet një punë shumë sensibilizuese dhe një fushatë profesionale për tejkalimin e kësaj situate. Qytetarët ende nuk janë përqëndruar ende në një vend ku kushtet janë optimale, ndërsa fëmijët nuk do të ndjehen të sigurt as në shkollë, por nga ana tjetër pjesëmarrja në mësim edhe mund ta ndihmojë ta tejkalojnë këtë situatë dhe për këtë duhet një platformë e detajuar e Ministrisë së Arsimit”, tha psikologia.

Sipas saj, shpeshherë njerëzit hasin në vështierësi nëpërballim e këtyre situatave për shkak të pavetëdijes. “Është e vështirë sepse pavetëdija shpesh është më e fortë se vetëdija, por megjithatë njerëzit duhet të kthehen tek vetvetja. Nganjëherë njerëzit nuk e kanë të njëjtë përjetimin e traumave. Duhet tu rikthehen kujtimeve të bukura, përjetimeve dhe emocioneve të bukura, të jenë të aftë të vazhdojnë jetën”, u shpreh Aurela Agalliu.