Fëmijëria e rrallë e Anita Bitrit

Deklarata befasuese e Robert Papavramit: Kjo vogëlushe është gjeniale, e lindur e tillë

Albert Z. ZHOLI

Në Kopshtin Nr. 10 të lagjes “29 Nëntori” në Vlorë

Në vitin 1970, shtator, pikërisht kur ishte 4 vjeç, Anitën e regjistruan në kopshtin Nr. 10 të qytetit të Vlorës. Shpesh këto institucione bëhen tepër të rëndësishme për jetën e një njeriu të talentuar, ndërsa krejtësisht të zbehta e gati-gati harrohen nga të tjerë që jeta nuk u jep shanse të mëdha për bujë a mirëqenie. Kopshti Nr. 10 i lagjes “29 Nëntori” në Vlorë ishte një ndërtesë e bukur për kohën. Jo vetëm aq, po prindërit Anitës kishin privilegjin të banonin diku aty afër e të mos lodheshin shumë mëngjeseve kur fëmija duhej çuar me nxitim në kopsht sepse pastaj vinte orari i punës. Siç kemi theksuar familja e Skënder Bitrit jetonte në një pallat në formën e germës “L”, diku përballë Ambulancës së madhe të qytetit dhe thuajse e njohin shumica e qytetarëve. Pas ndrojtjes së ditëve të para, pas njohjeve me bashkëmoshatarët, Anita Bitri do të binte menjëherë në sy të edukatoreve të saj jo vetëm për bukurinë engjëllore të asaj, por një gjallëri jo të zakonshme që shfaqte në mjediset e kopshtit të saj. Ajo vetiu këndonte, recitonte, përballej me fëmijët e tjerë dhe i korrigjonte kur ndjente se ata nuk recitonin si duhej. Nuk mund të mos binte në sy ky zell fëmijëror! Sigurisht atë kohë nuk kishte doemos specialistë a psikologë për të ndjekur e korrigjuar talentin e një fëmije. Nëse ndonjë edukatore kishte më shumë kulturë, – përtej mësimeve të shkollës pedagogjike ku pat mësuar, – atëherë fëmijët e kopshteve kishin një aset më shumë pas vetes për t’u evidentuar, për t’u inkurajuar, për t’u trajtuar me kujdes. Nëpër këto qerthuj fëmijërorë sigurisht kanë humbur, ose janë tretur shumë talente të rëndësishme që nuk arritën të shpërthenin kurrë. E gjithë jeta është një përpjekje e vazhdueshme, sidomos e atyre më të vullnetshmit, por fëmijëria e adoleshenca janë si rrënjët e një peme që sapo mbillet. Nëse prashitet, vaditet e vlerësohet ajo bëhet aq e bukur. Kësaj rruge të vështirë ku, sigurisht, përfshihen mirëqenia e familjes, kujdesi prindëror , shkollimi dhe elementë që ngjajnë të rastësishëm në jetë, por bëhen domethënës, – do të kalonte edhe këngëtarja e ardhshme Anita Bitri, për jetën e së cilës po shkruajmë… Pavarësisht ndryshimeve në sistemet shoqërore, si gjithçka në socializmin totalitar, kopshtet e shkollat ishin jo thjesht institucione ku fëmijët do të kalonin kohën në mungesë të prindërve, por edhe për ata tregohej një kujdes tepër i veçantë në evidentimin e talenteve a prirjeve të tyre. Shpejt ra në sy gjallëria e fëmijës Anita Bitri, etja e saj për të qenë protagoniste në lojërat e shokët e shoqet e shkollës, prirja për të recituar bukur vjershat që mësoheshin në kopsht prej edukatoreve, një gjallëri e çuditshme, lëvizjet e saj dhe mënyra inteligjente sesi komunikonte me mjedisin që e rrethonte. Shpejt këto veçanti të saj do të tërhiqnin vëmendjen e të gjithëve. Aq e vërtetë është kjo sa një Festival të fatosave të organizuar në Vlorë, kërcimtarja e vogël Anita Bitri e kopshtit Nr. 10 do të tërhiqte menjëherë vëmendjen e jurisë. Në përfundim të takimit Anita do të shpallej kërcimtarja më e mirë e atij festivali. Sigurisht do të gëzoheshin të gjithë, sidomos prindërit dhe vëllezërit e saj.

Përpara Robert Papavramit të famshëm

Përhapja e shkollave artistike në të gjithë vendin, të tipit të Liceut Artistik, kur fëmijët kryenin aty gjithë ciklin parauniversitar, duke nisur nga shkolla fillore e deri në maturë, sigurisht ishte një zhvillim i rëndësishëm në evidentimin e talenteve të reja. Vazhdimi i këtyre shkollave sigurisht kalonte përmes konkurseve të rrepta, në jurinë e të cilëve merrnin pjesë artistë e instrumentist të njohur. Ishte fat për fëmijët e Vlorës në përgjithësi e për Anita Bitrin në veçanti që një shkollë e tij, shkolla e Muzikës, siç quhej në fillim, – talentet kalonin përmes një emri aq të njohur të muzikës shqiptare si Robert Papavrami. Katër vite në kopsht kishin krijuar bindjen te prindërit, por edhe te edukatoret se Anita nuk qe një fëmijë i zakonshëm. Ajo jo vetëm kërcente bukur, por këndonte bukur, recitonte bukur, komunikonte bukur. Në vitin 1974 atë e regjistruan të konkurronte në Shkollën Artistike “Naim Frashëri” të qytetit. Sigurisht kishte një dyzim në familje për drejtimin muzikor që do të merrte vajza e vogël. Gjithsesi të gjithë binin dakord se asaj i duhej të përvetësonte një vegël muzikore dhe kjo mund të ishte violina. Kështu ndodhi që Anita Bitri u paraqit para Robert Papavramit me violinën e vogël në duar, sigurisht aso kohe pa pjesë muzikore të plota, por me ushtrime fillestare. Pranimet bëheshin duke matur përthithjen e tingujve, përsëritjen e tonaliteteve të notave të kërkuara e kërkesa të tjera fillestare për këtë moshë. Robert Papavrami e dëgjoi vet këtë violiniste më të vogël se moshatarët. Anita ishte regjistruar në kopsht një vit më e vogël se shoqet. Ankthi i nënës, por edhe i Arbenit, të vëllait, që ndodhej në sallën e konkursit ishte i madh. Mjeshtri i violinës, Papavrami, nisi të shqyrtonte aftësitë muzikore të vogëlushes Anitë me seriozitetin më të madh. Asnjë lëshim nuk lejohej. Arbeni do të tregonte më pas në kujtimet e tij se si çdo përplasje pëllëmbësh të profesorit për t’u bindur në veshin muzikor të vajzës, ngjante si trokitje të fuqishme zemre për ta. Fëmija ishte gjithë sy e veshë. E shikonte burrin e madh që kishte përpara me sytë e saj të bukur dhe, për të, mesa shihej , asgjë nuk ekzistonte tjetër në atë sallë. As nëna, as vëllai. Sesa zgjati kjo provëmarrje Arbeni nuk është në gjendje ta tregojë. Por diku, pasi gjithçka kishte rënë në heshtje dhe vajza e vogël kishte lëshuar në shesh violinën, Robert Papavrami bëri disa hapa përpara, ia dha violinën në dorë dhe e përqafoi fort duke buzëqeshur. Pastaj duke iu drejtuar të pranishmëve, tha:

– Kjo vogëlushe është gjeniale. E lindur e tillë. Nuk kam hasur kurrë fëmijë me një vesh muzikor aq të saktë, aq të mprehtë. Po e deklaroj këtu se Anita Bitri do të jetë këtej e tutje nxënësja ime në violinë..! Ishte një gëzim shumë i madh për mamanë dhe mua, do të na tregonte Arbeni. Përkundrazi motrës i kishte mbetur në fytyrë një buzëqeshje e lehtë, thuajse e harruar prej kushedi se çfarë ëndrre. Koha do të tregonte edhe virtyte të tjera të kësaj fëmije të bukur…

Sirena e detit

Ndodh shpesh që të rriturit vënë re ca elementë të çuditshëm te fëmijët kur ata gjenden para të papriturave dhe sjellja në këto raste përcakton thellësinë e mendimeve të tyre , ose shijet. Kjo ngjarje duhet të ketë ndodhur në një ditë vere të vitit 1975. Qe mbrëmje dhe, siç ndodh me vlonjatët, Anita me të vëllanë u gjendën në breg të detit. Bregu i detit të lejon të fantazosh shumë më tepër se një rrugicë qyteti. Paqja, qetësia, horizontet, rëra e lagur, perëndimet e diellit, psherëtima e valëve nuk gjenden këtu. Anita ishte pra duke lozur aty kur befas hasi tek një burrë të ri, i cili ishte ende me rroba banje dhe, pasi kishte grumbulluar rreth vetes një kodër me rërë, kishte nisur të ndërtonte në shesh diçka. Vajza e vogël u përpi me shpejtësinë e lëvizjeve të burrit dhe, ndonëse disa metra larg, e ndjente se diçka po formësohej prej duarve të tij. Kishte ngjeshur rërën e lagur, kishte nisur pastaj të hapte brazda të thella mes kësaj mase dhe, dalëngadalë, po shihej se ai po zbulonte tiparet e një gruaje flokëgjatë. Nga që ndjente ndrojtjen e një fëmije vetëm, ajo i thirri Arbenit të vinte pranë saj. Ishte vërtetë një habi e madhe se si një njeri i zakonshëm, – ashtu vetëm me rroba banje, – po ndërtonte një figurë aq të bukur. Shumë shpejtë do të mësonin se ai synonte të krijonte një sirenë detit, nga ato të mitologjisë, sirenë me fytyrën e një gruaje dhe bishtin e një peshku. Arbeni kishte patur rastin të shihte filmin mbi udhëtimet e Odiseut homerik dhe atje qe mahnitur nga ato qenie mitologjike që i binin harpës për të joshur udhëtarin e fortë. Diçka të tillë përfytyronte tani ky burrë i ri duke punuar me shkathtësi në rërë. Ai e ndjeu praninë e fëmijëve dhe thuajse nuk ktheu kokën për t’i parë. Po ngrysej me shpejtësi dhe ai ndoshta kërkonte ta përfundonte punën e tij para se të bëhej natë.

-Uau, sa bukur! – gati klithi vogëlushja kur skulptori u ngrit nga vendi, shpëlau duart me ujin e detit dhe nisi ta shikonte veprën e tij nga larg.

– Të pëlqen? – u entuziazmua ai duke parë shkëlqimin e syve të Anitës.

– Po, shumë, shumë..

– Kjo është një sirenë deti, – nisi të shpjegonte ai.. E dini si..

– Kam parë në filmin për Odiseun, – nxitoi të thoshte Arbeni.

Megjithëse të vegjlit besonin se gjithçka tashmë ishte përfunduar, burri i ri ulej herë pas here, hiqte nga trupi i sirenës ndonjë copë rërë të lagur, e vështronte përsëri dhe, dikur ndjeu se vogëlushja ishte mahnitur nga puna e tij.

– Këtë sirenë ta kushtoj ty, vogëlushe, sepse kur të rritesh do të jesh si një sirenë e vërtetë. Le ta quajmë sirena e ….. Si e ke emrin?

– Anita..

– Pra kjo është Sirena- Anitë. Është e gjitha e jotja.

Buzëqeshi, shpëlau përsëri duar në breg të valëve. Mblodhi ca spatulla me të cilat kishte punuar dhe iku.

Me ikjen e skulptorit ajo e ndjente veten si në ëndërr. Kjo gjë aq e bukur ishte e gjitha e saj. Uli gjunjët në rërë dhe nisi ta prekte lehtë, lehtë, sikur të kishte frikë se mos e zgjonte prej gjumit të saj mijëravjeçar. Beni ngazëllehej me këtë kureshtje të jashtëzakonshme të së motrës. Ky shpirt aq i veçantë, sigurisht nuk mund të mos binte në sy. Për fat të keq ndjesi të tilla nuk janë pronë e të gjitha qenieve njerëzore. Shpejt do t’ia behnin aty ca djem të rritur, ( asaj edhe adoleshentët i ngjanin të rritur) dhe nisën ta ngacmonin. Madje njeri prej tyre vendosi të prishte njërën dorë të sirenës. Vajza u alarmua dhe nisi të bërtiste. U tha të mos e prishnin se sirena qe e saj, se skulptori e kishte ndërtuar vetëm për të, por gjithçka ngjante e vështirë. Arbeni qëndronte i ngrysur, por duke qenë më i vogël se djemtë trazovaçë nuk guxonte të rrihej me ta… Të qarat e Anitës i dëgjoi për fat një burrë që ecte aty pari me një aparat fotografik në dorë. E pa se ç’po ndodhte. Shpejt e shpejt bëri disa fotografi mbi sirenën që thuajse po shkatërrohej. Pastaj mori për dore vajzën e vogël, e vendosi diku pranë sirenës së saj dhe e fotografoi me relievin në rërë. Pastaj pyeti Arbenin se ku e kishin shtëpinë në Vlorë dhe fotografi i premtoi se të nesërmen do t’ja sillte ato fotografi atje. Ishte një ngjarje të cilën Anita Bitri do ta kujtonte gjithë jetën. Atë natë do ndihej herë e gëzuar e herë e trishtuar dhe nuk pushonte duke u treguar prindërve se çfarë kishte ngjarë atë mbrëmje në breg të detit. Të nesërmen në mëngjes ajo do të kërkonte që Arbeni ta shpinte edhe një herë te Plazhi i Vjetër që të shihte sirenën e saj. Por nuk gjetën asnjë shenjë prej saj. Për t’i ushqyer fantazinë i vëllai do t’i thoshte se ajo tashmë kishte hyrë në det e kishte ikur diku larg. Në të vërtetë e kuptoi se batica e natës e kishte tretur përfundimisht punën e skulptorit entuziast.