Vota është pushteti më i madh i qytetarëve

Nga Klement Zguri (Fjala e kryetarit të KQZ gjatë leksionit të hapur me studentë të Univeristetit të Korçës, Fan S. Noli).

Së pari është vërtet kënaqësi që marr pjesë në një aktivitet studentor për zgjedhjet, për një temë, “edukimin”, e cila është me rëndësi fondamentale për mbarevajtjen e zgjedhjeve.
Kur flasim për aktivitete studentore gjëja e parë që na shkon në mend është dicka që na argëton, na kënaq apo na ngre humorin. Kur flasim për edukimin gjëja e parë që na shkon në mend është diçka që na kërkon përqëndrim, vemendje, që na kërkon punë e që na lodh.
Unë kam frikë se sot prej meje kërkohet që edhe të flas për edukimin zgjedhor edhe të mos ju lodh, edhe të shpjegoj ligjin edhe t’ju argëtoj… detyrë e vështirë, mbase e pamundur.
Çfarë është për ju edukimi zgjedhor? Çfarë përmbledh? Për çfarë na duhet? Mos vallë është thjesht si të votojmë, ku të vendosim shenjën, si të lexojmë votat? A nuk i njohim të gjithë këto gjëra? Pse duhen shitur si shkencë banalitete si këto?
Nëse ndalemi për një moment e merremi serozisht me çeshtjen, nuk është e vështirë të kuptojmë se edukimi zgjedhor nuk është banalitet, se çeshtja është më serioze dhe më e rëndësishme se ç’duket në vështrimin e parë.
Ndoshta sot, për ju, edukimi zgjedhor është kuriozitet. Ndoshta ju doni të njihni teknikat e votimit e të numërimit që ne përdorim. Ndoshta doni të dini si duhet të silleni në qendrën e votimit. Ndoshta doni të mësoni si të mbroheni nga hilet, ofertat e paligjshme dhe manipulimi.

Këto gjera, edukimi zgjedhor i realizon. Kjo është arsyeja e parë pse ne i kushtojme rëndësi, sepse dija zgjedhore nuk mund dhe nuk duhet të jetë kurrë privilegj i KQZ-së dhe i administratorëve të saj. Prandaj, mjafton të keni dëshirë të pyesni dhe KQZ-në do ta keni gjithmonë gati.
Dija zgjedhore ka vlerë kur ajo është dije popullore. Vetëm kur të gjithë njerëzit aktivë të shoqërisë dine dhe janë të aftë ta vënë në punë sistemin, dinë t’a menaxhojnë e t’a mbrojnë atë, edukimi zgjedhor jep rezultat dhe demokracia zhvillohet e shëndetshme.
Por edukimi zgjedhor nuk është vetëm njohje dhe zotërim i mekanizmit administrativ. Ne si KQZ jemi të prirur të shohim, sidomos tek studentët, administratorët e ardhshëm të zgjedhjeve. Ne kërkojmë kudo ku shkojmë njerëz të zot e të përgjegjshëm që t’i dalin zot ligjit dhe detyrës. Por ky është kuptimi i ngushtë i edukimit zgjedhor, ai që i përgjigjet “hallit” tonë, por që nuk përputhet tërësisht me “hallin” tuaj.

Ajo që Ju, u duhet më shumë nuk është të mësoni si të bëheni administratorë zgjedhjesh, por të mësoni si ta ktheni votën në pushtet. Gjë që nuk është aq e thjeshtë, sepse ju kërkon së pari të mesoni si ta ktheni votën nga votë në zgjedhje dhe, pastaj, si ta shëndërroni zgjedhjen nga proces në pushtet.
Vota është pushteti juaj më i madh në shoqëri, i pakrahasueshem për nga efektet me pushtetin që ju vjen, p.sh. nga fakti se jeni studente të spikatur, apo me rreth të gjërë shoqëror, apo simpatikë a karizmatikë, apo të kamur. Të gjitha këto cilësi ju ndihmojnë të ecni përpara në jetë e të ndikoni me qëndrimet e vendimet tuaja jetët e njerëzve që ju rrijnë pranë.
Vota nga ana tjetër bën që ju të ndikoni me qëndrimet e vendimet tuaja jetët e tyre, por edhe të mijra të tjerëve që nuk i njihni, nuk i keni pranë dhe nuk i mendoni si të varur prej jush.
Fakti se ende mund të mos ta keni këtë vetëdije, nuk ju justifikon ta neglizhoni këtë pushtet. Vota është pushtet që zgjedhësit e kanë një ditë në katër vjet dhe që, po nuk e përdorën mençurisht, mund t’u sjellë dëm për më shumë se katër vjet.
Edukimi zgjedhor na mëson si të lexojmë ofertën zgjedhore, si ta përmirësojmë atë, që t’i përgjigjet nevojave të komunitetit tonë, si të orientohemi në pyllin e propagandës, kujt t’i besojmë, si të vëmë në provë besueshmeërinë e konkurrenteve, si të qëmtojmë zgjedhjen që na bën me shumë punë, si të imponojmë qëndrimin tonë, si të vëme në provë e si të kërkojmë llogari.
Por edukimi zgjedhor mund të jetë më shumë se kaq, mund të jetë leksioni juaj i parë i demokracisë, kauza politike fillestare, ushtrimi juaj i parë si politikanë, beteja juaj e parë.
Udhëheqesit politike nuk bien nga qielli. Ata dalin nga rradhët e qytetarëve aktivë e të përgjegjshëm për demokracinë. Ata dalin si njerëz që kuptojnë mekanizmin e demokracisë, që dijnë të kërkojnë, dinë të masin, dinë të formulojnë, dinë të besojnë, dinë të imponohen e dinë të përfaqësojnë.
Edukimi zgjedhor që ne duam e që promovojmë është ky i fundit, sepse ky është më i plotë, është më i thellë, më i qëndrueshëm, më rezultativ e më i dobishëm. Edukimi ynë zgjedhor ju fton të jeni fillimisht të vetëdijshëm, pastaj të përgjegjshëm, fillimisht kërkues pastaj kontribues, fillimisht zëdhënës, pastaj formulues, fillimisht të spikatur, pastaj përfaqësues.