Qindra të rinj festojnë shpalljen e Tiranës si “Kryeqyteti Europian i Rinisë 2022” (FOTO)

Qindra të rinj festuan sot në Parkun Europa shpalljen e Tiranës si “Kryeqyteti Europian i Rinisë” për vitin 2022. Nën ritmet e muzikës, të rinj dhe të reja të kryeqytetit i janë gëzuar këtij lajmi fantastik për Tiranën, që e rreshton atë në një ndër qytetet më rinore në Europë. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj përcolli emocionet e ceremonisë në Amiens të Francës, ku juria prestigjioze ndërkombëtare e shpalli unanimisht Tiranën si kryeqytetin rinor evropian për vitin 2022.

Ai falenderoi në mënyrë të veçantë të rinjtë e Tiranës dhe të gjitha organizatat që mbështetën aplikimin e Tiranës për të qenë kryeqendra e rinisë evropiane pas dy vitesh. “E pabesueshme! Tirana është Kryeqyteti Europian i Rinisë për vitin 2022. Nga nata e mbrëmshme në Francë me presidentin Macron, me gjithë kandidatët në finale, deri sot në mëngjes kemi qenë pa gjumë, por donim patjetër që të ishim në Tiranë dhe ta ndanim këtë gëzim me të gjithë çunat dhe gocat e Tiranës. E kam zemrën plot me mirënjohje, me gëzim, me falenderim për të gjithë çunat dhe gocat, nga ata në gjimnaz, tek ata në Universitet, tek ata që advokojnë për të drejtat e fëmijëve, për ata që punojnë pafund. Në gjithë këtë përpjekje, në gjithë këtë angazhim të jashtëzakonshëm, kishte vetëm pasion, energji pozitive, vetëm çuna dhe goca të mirë shqiptarë, që bashkëpunojnë, që i thonë njëri-tjetrit: Bravo të qoftë!, që kuptojnë se duke punuar bashkë mund të shkojmë shumë përpara”, tha Veliaj.

Ai përshëndeti edhe 4 qytetet finaliste në këtë garë të fortë dhe theksoi se Tirana mundi të triumfojë falë zemrës dhe vullnetit për të qenë evropiane. “Dua t’i japim një duartrokitje 4 qyteteve të tjera finaliste; kishin aplikime shumë të mira, ndoshta kishin edhe më shumë financa, më shumë infrastrukturë, shumë prej tyre ishin anëtare të BE-së, por Tirana kishte atë që nuk e ka asnjë tjetër: zemër, zemër, zemër! Çdo punë e mirë që bëhet me zemër është një punë që shkon mbarë deri në fund. Jam sot shumë mirënjohës për të gjithë ata çuna dhe goca nga Kongresi Rinor Shqiptar dhe gjithë organizatat rinore që thanë: Tirana, mbi të gjitha, Shqipëria mbi të gjitha! Ne do kemi gjithmonë kohë të debatojmë, të kundërshtojmë, të sqarojmë se cila është zgjidhja më e mirë; madje do kemi edhe kohë të protestojmë, por kur ne punojmë dhe bashkëpunojmë, kur vëmë një synim dhe mbështesim njëri-tjetrin, nuk ka fuqi që na ndal dhe fitojmë”, u shpreh Veliaj.

Ai theksoi se marrja e këtij çmimi është një përgjegjësi shumë e madhe. Ndaj, sipas tij, në vitin 2022 Tirana duhet të jetë gati për të pritur mijëra të rinj që do ta vizitojnë, por edhe për të treguar se e ka merituar vërtetë këtë status. “Në vitin 2022 po planifikojmë të kemi mbi 1000 aktivitete në Tiranë dhe mbi 1 milionë djem dhe vajza nga gjithë Europa, që do duhet të vijnë në Tiranë, dhe të shikojnë fytyrën evropiane të Shqipërisë, kartolinën më të bukur që prodhon puna dhe bashkëpunimi, atë që është aspirata jonë. Një nga gjërat që të gjithë vlerësuan në juri, kur na dhanë votën unanimisht, ishte fakti se ne jemi thellësisht evropianë. Ne besojmë te Europa, ne ëndërrojmë Europën dhe punojmë përditë që Tirana të ngrihet nesër më europiane se ç’u ngrit sot. Tirana nuk është perfekte, por është një punë, një proces, një projekt në progres. Nëse punojmë me këtë energji, me këtë zell dhe me këtë pasion çdo ditë, jam i bindur që në datën 1 janar, kur të vijë Viti i Ri 2022, do jemi gati me bujarinë shqiptare, me buzëqeshjen shqiptare, me mikpritjen shqiptare, me zell dhe me pasion, edhe me energjinë shqiptare, për të bërë performancën më të mirë të vitit, të Kryeqytetit Europian të Rinisë”, u shpreh kryebashkiaku.

Duke iu referuar fjalës që mbajti presidenti Makron në këtë ceremoni, Veliaj theksoi se Tirana në vitin 2022 do të tregojë se është një vend evropian, njësoj si dhe shumë qytete të tjera në Bashkimin Europian. “Presidenti Makron i bëri thirrje të gjithë të rinjve, që projekti i Europës të mos ngelet projekti i burokratëve, projekti i Europës, të mos ngelet projekti i apartçinjve, projekti i Europës të mos jetë projekti i atyre që vetëm plotësojnë letra që s’kanë asnjë rendiment. Ai bëri thirrje që projekti i Europës të jetë projekti i rinisë dhe ne nga Tirana japim një përgjigje: Po, projekti i Europës është projekti i rinisë shqiptare! Dhe po, ne do ta përdorim vitin 2022 si një mundësi të shkëlqyer për të treguar se jemi europianë, mendojmë si europianë, punojmë si europianë dhe herët ose vonë e kemi vendin në BE”, tha Veliaj.

Megjithatë ai, shtoi se rruga deri në shpalljen fitues në këtë garë nuk ishte e lehtë, pasi pati edhe nga ata shqiptarë që tentuan të vendosnin pengesa duke dërguar letra anonime kundër Tiranës. Gjithsesi, theksoi Veliaj, ata nuk ia dolën, sepse shuma e shqiptarëve të mirë, e shqiptarëve të drejtë, e shqiptarëve pozitivë, e shqiptarëve europianë, është shumë më e madhe se një minorancë që saboton gjithçka. “Edhe ky projekt pati kundërshtarët e vet. Jam shokuar kur dëgjoja nga juria që na dha votën maksimale sesi shqiptarë të tjerë kishin shkruar letrat anonime kundër kandidaturës sonë, sesi shqiptarë të tjerë kishin sajuar histori pa fund kundër qytetit tonë dhe pyetja që kam: Pse? Pse? Pse duhet shqiptarët t’i shkruajnë Nobelit kundër Kadaresë? Pse duhet shqiptarët t’i shkruajnë Brukselit apo Holandës apo Francës kundër kandidaturës sonë? Pse duhet shqiptarë të tjerë të shkruajnë dhe të shpifin kundër qytetit tonë? Di t’ju them se kësaj here nuk ia dolën”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë nënvizoi se është koha që të gjithë shqiptarët, të rinj e të reja, të vendosin që të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin, pasi vetëm kur bëhemi bashkë mund të bëjmë mrekullira. Tirana u shpall fituese nga një juri e pavarur që përbëhej nga përfaqësues të institucioneve dhe organizatave të mëposhtme: Parlamenti Evropian, Komiteti i Rajoneve, Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, Komiteti Ekonomik dhe Social Evropian, Këshilli i Komunave dhe Rajoneve Evropiane, Këshilli Këshillimor i Rinisë i Këshillit të Evropës, Zyra e OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut, Fondacioni Schëarzkopf Evropa e Re, Nisma e Shoqërisë së Hapur për Evropën, IDEA Ndërkombëtare, EurActiv, Lëvizja Evropiane Ndërkombëtare, Eurodesk dhe Forumi Rinor Evropian.