Meta: 22 nëntori i vitit 1998, është një datë historike për të gjithë shqiptarët

Ndër të tjera Presidenti Meta theksoi sonte në konferencën e shtypit tha se “22 nëntori i vitit 1998, është një datë historike për të gjithë shqiptarët.

Për herë të parë populli shqiptar në mënyrë të drejtpërdrejt miratoi përmes referendumit Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë post-komuniste.

Falë urtësisë politike dhe një procesi gjithëpërfshirës të udhëhequr nga i ndjeri Sabri Godo dhe zoti Arben Imami, si dhe në bashkëpunim të shkëlqyer me Komisionin e Venecias, u zhvillua një debat dinjitoz kushtetues dhe një referendum shembullor, duke na dhuruar Kushtetutën më demokratike që ka patur Shqipëria deri më sot.

Populli vendosi se sovraniteti i Republikës së Shqipërisë i përket vetëm atij, ushtruar nëpërmjet përfaqësuesve të tij ose drejtpërsëdrejti përmes referendumit.

Populli vendosi se sovraniteti ushtrohet nga përfaqësuesit që dalin prej zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, shprehur përmes votës vetjake, të barabartë, të lirë dhe të fshehtë.

Populli vendosi se sistemi i qeverisjes në Republikën e Shqipërisë bazohet në ndarjen dhe balancën ndërmjet tre pushteteve, legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor.

Populli Shqiptar përcaktoi se liritë dhe të drejtat themelore të njeriut duhet të ishin të pandara, të patjetërsueshme dhe të padhunueshme, duke vendosur respektimin e tyre në themel të të gjithë rendit juridik dhe kushtetues.

E projektuar për të hedhur themelet e një shteti që garanton liritë dhe të drejtat themelore të individit, të ndarjes dhe jo uzurpimit të pushteteve, të ruajtjes së sovranitetit dhe ndërtimit të të ardhmes europiane dhe euroatlantike të vendit, Kushtetuta e ‘98-ës mundësoi rivendosjen e paqes sociale dhe rotacionin normal politik në vend.

Kjo Kushtetutë që ende gëzon respektin, nderimin dhe nostalgjinë e të gjithë qytetarëve shqiptarë, fatkeqësisht u zhbë brenda natës në errësirë të plotë nga marrëveshja politike e partive e vitit 2008.

Si pasojë e kësaj marrëveshjeje, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë nuk përfaqësojnë më vullnetin e drejtpërdrejtë të popullit dhe të qytetarëve shqiptarë, por vetëm vullnetin e Kryetarëve të Partive”