Guardiola i befason të gjithë: Mourinho i jashtëzakonshëm, por u habita për Pochettinon

Pep Guardiola e ka mirëpritur ardhjen e Jose Mourinhos në Premier League, duke e cilësuar si një trajner fantastik. Pavarësisht rivalitetit të lart mes tyre, strategu spanjoll ka një konsideratë pozitive për portugezin.

 

“Ju e njihni më mirë se unë. Ai ka qenë këtu për shumë vite në klube të ndryshme. I uroj mirëseardhjen. Është një trajner fantastik dhe jam i bindur që do të bëjë mirë. Mbeta pak i habitur nga Mauricio sepse ka bërë një punë të jashtëzakonshme dhe klubi i tij u bë më i mirë”.

Nuk kanë munguar elozhet as për rivalin e ditës së nesërme, Frank Lampard.

“Nga eksperienca që kam, eksperienca në këtë rast s’do të thotë shumë. Fakti që Lampard e njeh shumë mirë klubin e Chelsea-t është një avantazh për të. Kur unë erdha, shumë njerëz afër nuk kishin besim te unë. Frank është në një situatë ideale. Nëse punon shumë dhe me qetësi, rezultatet do të vijnë”, deklaroi Guardiola. /R.Lika-Koha Jone/