10 gozhdat e PPE në “arkivolin” e Ramës

Nga Oerd Bylykbashi

Rezoluta e Partisë Popullore Europiane e miratuar dje, heq çdo dyshim: Edi Rama është një kufomë politike që po ndot me kutërbimin e saj jo vetëm skenën institucionale dhe politike, por edhe shpresat e shqiptarëve. 10 pikat e rezolutës janë dhjetë gozhda në kapakun e arkivolit politik të Ramës dhe mazhorancës së tij:

1- Shqipëria është në krizë të thellë politike dhe qeveria nuk i shmanget dot më tej dialogut me Opozitën e Bashkuar.

2- Reforma zgjedhore me konsensusin e partive politike dhe jo sajesave të qeverisë, shtron rrugën për zgjedhje demokratike që janë e vetmja zgjidhje e krizës së thellë, dhe jo si ato të 30 qershorit.

3- Europa demokratike pret vullnet politik për zgjedhje demokratike dhe jo lojëra, si dhe reforma konsensuale mes partive duhet zbatuar në interes të demokracisë dhe jo oligarkisë. Një reformë zgjedhore për krizën e rëndë aktuale ‎nuk zbatohet në ERTV, por në zgjedhje, tani dhe jo kur t’i mbijë bari demokracisë.

4- Mbyllja e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë janë të papranueshme në një Demokraci me Shtet të së Drejtës, ndaj duhen ngritur urgjentisht. Legjitimiteti i votimeve të 30 qershorit është në pikëpyetje të madhe dhe Gjykata Kushtetuese, e pavarur dhe e pa kapur, duhet të vendosë për legjitimitetin e tyre.

5- Nuk ka asnjë dyshim që grupet kriminale janë përfshirë në shitblerjen e votave dhe presionin mbi zgjedhësit për marrjen e pushtetit nga PS, kjo është e papranueshme për standardet e Evropës, dhe pret hetim dhe dënim të vërtetë, dhe jo lojëra me numra dosjesh “184” apo “339”, si ato që ka bërë deri më sot Prokuroria e Përgjithshme e Përkohshme e qeverisë.

6- ‎Europa është thellësisht e shqetësuar që pasi mbështeti fuqimisht pesë vite më parë Dekriminalizimin e politikës, Edi Rama vazhdon u imponon shqiptarëve kriminelë si ushtrues të pushtetit publik, duke thyer ligjin e Dekriminalizimit. Europa kërkon që kriminelët të largohen menjëherë nga postet.

7- Europa është e ‎shqetësuar pse Edi Rama vonon ngritjen e SPAK-ut, 3 vite pas miratimit të ligjit me konsensus, sepse pret që të korruptuarit të shkojnë në burg, dhe jo të shijojnë frytet e krimit të tyre.

8- Europa nuk pranon më fallsitetet e qeverisë në luftën kundër trafiqeve të drogës dhe krimit të organizuar dhe është e bindur që politikanë të lartë janë të lidhur me trafiqet ‎dhe duhet të dënohen.

9- Europa është e bindur që administrata publike është e politizuar (e thotë dhe ODIHR-i në raportin e tij) dhe kjo duhet të ndryshojë thelbësisht. Reforma e administratës publike nuk mund të jetë farsë si deri më tani.

10- Partia Demokratike është legjitime në kauzat e saj në mbrojtje të interesave të shqiptarëve dhe ka mbështetjen e familjes së madhe të Partive Popullore Europiane.

Nuk ka më kohë për të humbur me kadavrën politike të kësaj qeverie dhe këtij kryeministri. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë e vetmja zgjidhje për të drenuar këtë kënetë ku i ka futur shqiptarët Edi Rama.

Lexojeni vetë verdiktin e EPP:

Partia Popullore Europiane:

  1. Duke vlerësuar se Shqipëria po përballet me një krizë të thellë politike, nxit partinë në pushtet dhe opozitën në Shqipëri të ndërmarrin të gjitha përpjekjet për të tejkaluar menjëherë këtë krizë të thellë politike përmes dialogut.
  2. Risjell në vëmendje se adoptimi konsensual nga partitë politike, i një reforme elektorale në përputhje me rekomandimet e OSBE-ODIHR që shtron rrugën drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, përfaqëson një kusht të rëndësishëm për të ardhmen e vendit dhe integrimin drejt BE-së.
  3. Duke rikujtuar theksin e përsëritur nga ana e OSBE/ODIHR, të rëndësisë që ka vullneti politik për të garantuar zbatimin e të gjitha kushteve për zgjedhje të lira dhe të ndershme, bën thirrje për zbatimin e reformës elektorale, në dobi të demokracisë dhe të funksionimit të institucioneve demokratike qendrore dhe lokale në Shqipëri.
  4. Shpreh nevojën urgjente që Shqipëria të sigurojë funksionimin e duhur të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë duke i plotësuar vendet e tyre me gjyqtarë; pret një vendim të shpejtë dhe final nga Gjykata Kushtetuese mbi legjitimitetin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019.
  5. Thekson se blerja e votave dhe përfshirja e krimit të organizuar në zgjedhje është e papranueshme për standardet europiane, dhe bën thirrje për rezultate të prekshme dhe në kohë të hetimit të suksesshëm të përgjegjësve, përfshirë dhe politikanët, zyrtarët e shtetit dhe grupet kriminale që janë përfshirë në blerjen e votës dhe krime të tjera elektorale gjatë zgjedhjeve.
  6. Shpreh shqetësim të thellë për fenomenin e vazhdueshëm të personave me rekorde kriminale që kandidohen për poste në institucione apo emërohen si funksionarë publikë në shkelje të hapur të “Ligjit të Dekriminalizimit” dhe bën thirrje për zbatim pa ekuivoke të ligjit, dhe largimin nga detyra të zyrtarëve që e kanë shkelur atë.
  7. Nxit Shqipërinë që të ngrejë Strukturën e specializuar për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar; bën thirrje për nisjen e procedimeve penale kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve që janë akuzuar për vepra të ndëshkueshme nga procesi i vettingut.
  8. Thekson domosdoshmërinë për rezultate bindëse në luftën kundër kultivitimit masiv dhe trafikimit të kanabisit dhe luftën kundër trafikut të drogës dhe pastrimit të parave; shpreh nevojën urgjente që Shqipëria të kryejë hetime aktive, ndjekje penale dhe dënime për korrupsion dhe krim të organizuar duke nisur dhe përfunduar procedime kundër të gjithë autorëve përfshirë dhe politikanë dhe zyrtarë të lartë.
  9. Bën thirrje për progres të prekshëm në reformën e administratës publike, si një nga çështjet kyçe për Shqipërinë në rrugën e saj për integrimin në BE.
  10. Mbështet Partinë Demokratike të Shqipërisë në përpjekjet e saj për të adresuar shqetësimet legjitime dhe aspiratën Europiane të popullit shqiptar.