PS po kap drejtësinë? Kumbaro: Plumb i shtënë në ajër. Akti i betimit ka nevojë të notifikohet diku

Për Partinë Socialiste, Presidenti Ilir Meta nuk plotësoi detyrimin kushtetues që ta thërriste për të bërë betimin, gjyqtaren Arta Vorpsi. E ftuar në studion e lajmeve në RTV Ora, Kumbaro tha se nuk kemi të bëjë me krizë politike, por me përplasje institucionesh.

Duke iu përgjigjur akuza të presidentit se mazhoranca po kap sistemin e drejtësisë, Kumbaro tha se kjo është një plumb i shtënë në ajër.

Akti i betimit ka nevojë të notifikohet diku, me Kushtetutë bëhet tek Presidenti. Ishte detyrimi i Presidentit që ta thërriste Vorpsin për të bërë këtë betim. Në rastin konkret, nuk është zonja Vorpsi që nuk shkoi por është presidenti që nuk plotësoi detyrimin kushtetues që ta thërriste për të bërë betimin”, tha Kumbaro.

Pyetje: Si i përgjigjeni akuzave se mazhoranca po kap sistemin e drejtësisë?

Mirela Kumbaro: Unë nuk i përgjigjem fare, sepse për mua është një plumb i shtënë në ajër, nuk e shoh të bazuar askund, sepse po ta kishim kapur procesin do të ishim përpjekur që të koordinonim kalendarët. Fakti që kalendarët veprojnë dhe ecin në rrugën e tyre të parashikuar nga ligji dhe pa asnjë orientim politik sjell që të ketë të tilla përplasje.