Betejë e ashpër me regjimin e së keqes

Nga Kastriot Islami –
Kërcënimi i fundit i zëdhënësit të Presidentit është një ngjarje shumë e rëndë. Ajo duhet sqaruar dhe për tu sqaruar duhet hetuar e gjykuar nëse s’do të gjendej një rrugë tjetër më e shpejtë e më efikase. Kjo ngjarje duket se lidhet me çështjen e GjK dhe rolin e disa ndërkombëtarëve në politikën e brendshme të vendit. Natyrisht ky incident veçse do të ndikonte negativisht në qasjen e krizës së thellë në Shqipëri.

***
Thelbi i konfliktit politik e institucional këto ditë është ngërthyer te çështja e GjK, duke e thelluar krizën dhe duke nxjerrë në dritë të diellit jo vetëm aspektin e saj kushtetues, por duke e karakterizuar atë edhe si një krizë konflikti mes institucioneve më të larta të shtetit dhe për çështjen më të rëndësishme të një demokracie e shteti ligjor.

***
Rama po lufton me të gjithë mjetet dhe mënyrat për kapjen e GjK, thjesht për interesa të pushtetit të tij personal dhe të forcimit e mbrojtjes së pushtetit korruptiv, të lidhur ngushtë e tashmë pazgjidhshmërisht, me krimin e trafiqet. Rama pasi ka vënë nën kontroll PSSH, parlamentin, të gjithë pushtetin vendor, biznesin e madh, mediat kryesore, zgjedhjet e KQZ, shoqërinë civile, të gjithë institucionet kushtetuese dhe më së fundmi edhe pjesën më të madhe të institucioneve të reja të gjyqësorit, duke hedhur në erë në këtë mënyrë edhe reformën e drejtësisë, po përpiqet në mënyrë diabolike, të uzurpojë, përmes një grushti mafioz kushtetues, edhe GjK, të cilën mendon ta përdorë për të shantazhuar Presidentin apo eventualisht edhe për ta shkarkuar atë.

***
Në këto momente, Presidenti dhe opozita e bashkuar jashtë kuvendit, po përpiqen me të gjithë mjetet legale që zotërojnë dhe në rrethana sakrificash e vështirësish të paimagjinueshme, për të mbrojtur ngritjen e një GjK të pavarur, profesionale dhe në shërbim të interesave të qytetarëve. Kjo duket se do të jetë beteja e fundit në luftë të ashpër me regjimin e së Keqes, për të mos lejuar që vendi të futet në kaos për shkak të reagimit të ashpër qytetar ndaj regjimit policor të Ramës apo të rivendosej një regjim i egër represiv, autoritar, të korruptuar e kriminal, në rastin e shtypjes me mjetet e dhunës të reagimit qytetar. Mund të thuhet pa asnjë mëdyshje se Presidenti Meta së bashku me opozitën po përpiqen të shmangin kaosin apo vendosjen e një regjimi respresiv.

***
Gjykoj se zgjidhja e krizës aktuale e cila po thellohet vazhdimisht duke arritur në një pikë të rrezikshme, do të mundësohet vetëm përmes zgjedhjeve të parakohshme. Nuk shikoj asnjë mënyrë tjetër për të dalë nga kjo krizë e thelle e më pasoja ta parashikueshme për qytetarët. Po ashtu ndjej se zgjidhja duket se po vjen, ndërkohë që dita e muaji i saktë mbeten për tu përcaktuar me vullnet të mirë dhe koshiencë politike nga aktorët politikë, e me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë. Sigurisht, në respekt të Kushtetutës, dhe vetëm në përputhje me kërkesat e saj, zgjedhjet e parakohshme do të mund të bëheshin vetëm me dekret të Presidentit.

***
Natyrisht paralelisht ose të paraprira me nxjerrjen e një dekreti presidencial do të duhej të bëhej shpërndarja e Kuvendit sepse sipas frymës dhe dispozitave të Kushtetutës s’mund të këtë zgjedhje të parakohshme pa shpërndarje të kuvendit. Për tu realizuar ky akt duhet një marrëveshje politike. Sesi realizohet kjo ligjërisht e konkretisht, duhet referencë në dispozitat kushtetuese, të cilat duhen lexuar dhe aplikuar me vullnet të mirë e mencuri politike, sigurisht duke vendosur në plan të parë interesin publik. Pyetjes se cfarë ndodh “nëse mungon vullneti i mirë apo Rama vendos në plan të parë interesin për pushtetin e tij personal, dhe kështu pengon marrëveshjen politike pra edhe gjetjen e zgjidhjes kushtetuese të krizës…” mund ti jepej kjo përgjigje e qartë demokratike: zgjidhjen do ta jepnin vetëm qytetarët, përmes një reagimi të fuqishëm e reaktive, në kahe të kundërt me veprimin e Ramës dhe me intensitet proporcional me sjelljen e papërgjegjshme të Ramës. Dhe nëse Rama do ti agresonte qytetarët që ata të mund të mos vepronin, dita e rrënimit dhe vithisjes së rregjimit të tij do të ishte zgjidhja e vetme dhe e pashmangshme.

Syri.net