Shqiptari me “Fiat Punto” i bën “zbor” policëve italianë, njëri shtrohet në spital

Një shqiptar është arrestuar nga policia italiane, pas një ndjekje të gjatë, ku për pak operacioni mund të përfundonte keq për të dyja palët.

Shqiptari, në fillim u duk sikur iu bind urdhërit të policisë për të ndaluar, por më pas, me makinën e tij Fiat Punto, ka rritur shpejtësinë duke ia mbathur.

I riu 22-vjeçar dhe dy bashkëpunëtorët e tij, i kanë dhënë jetë një ndjekje si nëpër filma, në zonën e Citta Studi në Milano të Italisë.

Të martën rreth orës 16:30, një patrullë carabinierësh pikasën tre shqiptarët të cilët në fillim u shtirën sikur do ndalonin, por më pas kaluan çdo semafor të mundshëm.

Në rrugën Lomonaco, 22-vjeçari shqiptar ndalon për të zbritur bashkëpunëtorët e tij dhe më pas fillon ndjekja në këmbë.

Një agjent me makinë mundet të bllokojë dy personat e tjerë në makinë. Ndërsa në krahun tjetër ndjekja shkon keq për agjentin i cili humbi jo vetëm gjurmët e drejtuesit shqiptar të makinës, por i duhet të shtrohet në spital për 7 ditë.

22-vjeçari shqiptar, mësohet se ishte pa dokumenta në Itali.

Gjithsesi ai u vu në pranga më vonë për rezistencë ndaj zyrtarit publik dhe  për përsëritje të veprave penale. Në brendësi të makinës u gjetën edhe sende të vjedhura gjatë grabitjes së një apartamenti.