Rasti në “Fiks Fare”/ Biznesmeni Samir Mane i jep fund mjerimit të familjes Kurti në Klos

Pas thirrjes së emisionit Fiks Fare, për ti ardhur në ndihmë familjes Kurti nga fshati Gurrë e Vogël në Klos, e cila jeton në kushte të mjerueshme, nëpërmjet kompanisë AlbChrome, presidenti i Grupit Balfin Z. Samir Mane ka marrë përsipër rindërtimin e shtëpisë së tyre, kurimin e vajzës së sëmurë të familjes dhe dhënien e asistencës ushqimore për 1 vit për ta.

Sipas organizatës “Fund-Javë Ndryshe”, e cila ka identifikuar rastin, shtëpia në të cilën jeton familja Kurti është në gjendje skandaloze. Ajo është e ndërtuar me anë të ndihmave vetëm me tulla, por nuk ka asnjë dritare apo derë. Fëmijët flenë në dysheme dhe e vetmja mundësi për tu ngrohur për ta është një sobë me dru. Por, nga pamundësia, Shpëtimi e ka të vështirë t’i sigurojë gjithmonë drutë dhe nga ana tjetër mos patja e dyerve dhe dritareve e shton edhe më shumë të ftohtin.

Shpëtimi, kryefamiljari nuk punon, pasi fshati është shumë i thellë edhe nuk ka si t’i sigurojë të ardhurat, ndërkohë që i duhet të kujdeset për të rritur 8 fëmijët e tij.

Bëhet fjalë për tre djem të moshave 18, 15 dhe 3 vjeç dhe pesë vajza, të moshave 12, 10, 9, 3 dhe 2 vjeçe. Së bashku me familjen jeton edhe mamaja e Shpëtimit, e cila është edhe një prej burimeve të pakta ekonomike për familjen, e cila mbahet me pensionin e të moshuarës, prej 9 mijë lekësh në muaj, si edhe me ndihmën ekonomike prej 10 mijë lekësh në muaj.

Një nga vajzat e familjes është në kushte aspak të mira shëndetësore, pasi sipas prindërve kur ka lindur ajo ka patur një nishan në këmbë, i cili i është përkeqësuar me kalimin e viteve. Kjo gjë ia ka vështirësuar ecjen dhe vajza nuk mund të përshkojë distanca të gjata, duke qenë se në këtë mënyrë plaga do t’i lëndohej edhe më tepër.

Familja nuk kishte mundësi që t’i blinte një krem të ri për ta kuruar plagën e saj.

Presidenti i Grupit Balfin Samir Mane vendosi që ta përkrahë familjen në fjalë përmes kompanisë AlbChrome, e cila operon në zonën e Bulqizës, të Burrelit dhe të Klosit, pranë së cilës jeton familja Kurti.