Nuk ka asnjë gram negativitet në jetën e Taynës

Të jesh Tayna nuk është e thjeshtë. Përveç koncerteve, klipeve, këngëve të reja, palestrës, postimeve në Instagram, jetës personale, duhet të përballet edhe me kolegë që i bëjnë diss-e e më the e të thashë. Edhe pse duket e pamundur të ruash qetësinë mendore me axhendën e Taynës, ajo ia del. Madje, s’ka asnjë grimcë negativitet në organizëm apo rreth e rrotull. Në Instagram, reperja iu përgjigj disa ndjekësve, që u kishte rënë në sy pozitiviteti ngjitës.

Si ka mundësi që je kaq pozitive?

E dua jetën, veten, njerëzit Zotin. Mundohem të reflektoj sa më shumë energji pozitive se njerëzit janë mësuar ta shohin jetën si luftë e jo si diçka të bukur. Gjithkush, nëse e sheh me vëmendje, e vë re që ka shumë gjëra në jetë për të cilat duhet të jetë falenderues. Në fund të fundit, nuk humbet kurrgjë nëse ndihesh mirë me veten. Përndryshe veç ndjell ters.

Ku frymëzohesh që flet kaq mirë?

Lexoj libra motivues, shoh shumë video motivuese, shoh vetëm filma me mesazhe pozitive, dëgjoj muzikë me frekuenca shëruese, meditoj, lutem, shkruaj në ditar etj.

Si mund të jesh kaq pozitive edhe nëse ke probleme?

Problemet janë mësime që vlejnë për t’u bërë versioni më i mirë i vetes. Pa to, nuk do t’i shijonim dot gjërat e mira që na ndodhin. Duhet të ndërrosh mënyrën si i sheh problemet.

Si ta kuptojmë syrin e tretë që përmend në tekst?

Syri i tretë është vetëdija më e lartë, syri shpirtëror. Ka të bëjë me intuitën dhe ndërvetëdijen.