Hakmarrja e ëmbël e Taylor Swift

Taylor Swift duket se nuk e ka aspak në plan ta lërë në hije konfliktin me Scooter Braun, menaxherin e Justin Bieber dhe Ariana Grande-s, i cili zotëron tashmë të drejtat e gjashtë albumeve të parë të Swift. Pas debatit të ashpër, së fundmi u raportua se Taylor ka 100% të drejtë të performojë këngët e vjetra në American Music Awards, megjithatë këngëtarja po planifikon një “hakmarrje”.

Burime pranë saj pohuan për Page Six se Taylor po planifikon një shfaqje të fortë në lidhje me fuqizimin e grave në muzikë. Swift do të përpiqet të prekë dhe ironizojë Braun gjatë performancës si edhe pritet ta përmendë atë në fjalimin pas marrjes së çmimit “Artistja më e mirë e dekadës”.

Po të njëjtat burime thonë se në skenë, së bashku me Taylor-in, do të ngjiten emra si Selena Gomez, Kesha dhe Halsey, të cilat e kanë mbështetur prej kohësh përsa i përket konfliktit me Scooter Braun. Nga ana tjetër, Justin Bieber apo Demi Lovato i kanë dalë kundër.

Një tjetër burim tha për Page Six se “Taylor do ta kthejë performancën në AMA në një mesazh të fuqishëm.”

“Pastaj, kur të pranojë çmimin, ka të ngjarë që Taylor të bëjë një deklaratë në lidhje me artistët që nuk kanë të drejtën e përdorimit të këngëve të tyre.” Po kështu, pritet që këngëtarja të theksojë si është trajtuar nga Scooter Braun dhe Scott Borchetta.

TAYLOR SWIFT – SCOTT BORCHETTA – SCOOTER BRAUN

Taylor do të performojë në AMA më 24 nëntor, ku do të nderohet me çmimin e rëndësishëm “Artistja më e mirë e dekadës”. Disa ditë më parë, ajo deklaroi se nuk është në gjendje të perfomojë këngët e vjetra, sepse nuk zotëron të drejtat e tyre. Këngëtarja akuzoi menaxherët Scooter Braun dhe Scott Borchetta, të cilët mohuan akuzat.

Ithaca Holdings e Braun bleu Big Machine Label Group të themeluar nga Scott Borchetta. Swift nënshkroi me labelin nga viti 2006 për albumin e saj debutues deri në vitin 2017, para se të shkonte të Universal Music Group. Kjo do të thotë se këngëtarja nuk ka asnjë të drejtë për projektet e mëparshme muzikore.