Shehi: Zgjedhje të parakohshme që nesër, të ndalojmë këtë rrokopujë të shtetit

Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, thotë se me ose pa Reformën zgjedhore, ai do të shkonte në zgjedhje që nesër. Sips tij, duhet që opozita dhe shqiptarët në mënyrë urgjente të ndalin atë që Shehi e quan si rrokopujë të shtetit

”Përtej këtyre problematikave që ka reforma zgjedhore, unë për vete me këtë ose pa këtë reformë do shkoja në zgjedhje që nesër. Sepse është kaq urgjente për të ndaluar këtë rrokopujë të shtetit shqiptar, këtë vjedhje pa asnjë lloj limiti, pa asnjë lloj morali. Këtë shtet që nuk ka degjeneruar si shtet dhe si institucion shtetëror. Unë them që duhet ti bëjmë zgjedhjet sa më shpejt, prandaj na duhet ligji. Në qoftë se bëhet fjalë punë ditës, para Vitit të Ri”,-tha në ”Ora News”.

Teksa tha se kemi nevojë serioze për tu marrë me sistemin zgjedhor, Shehi tha se reforma e përshpejtuar duhet të bëhet nëse do kemi zgjedhje të parakohshme.

”Nëse ligjin do ta durojmë gjithë vitin tjetër dhe zgjedhjet do na bëhen në 2021, kur janë nuk kemi nevojë për një reformë të përshpejtuar dhe gjithë këtë zhurmë që bën OSBE-ja. Kjo rrëmujë bëhet me idenë që zgjedhjet të jenë në mars dhe shkurt që të shpëtojmë nga kjo krizë, por nëse zgjedhjet do na bëhen në 2021 dhe do na duhen të durojmë edhe disa kohë këto që kemi mbi kokë, atëherë ligji zgjedhor duhet të bëhet me qetësi”.