Punësim për 500 persona me aftësi të kufizuara

Në Shqipëri, në katër vitet e fundit, falë politikave të ndërmarra dhe zbatimit të programeve të dedikuara janë punësuar 318 persona me aftësi të kufizuara, ndërsa 177 persona janë punësuar nëpërmjet shërbimeve të ndërmjetësimit nga zyrat e punës. Në konferencën fuqizimi ekonomik i personave me aftësi të kufizuara ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, evidentoi rritjen e aksesit në tregun e punës të personave me aftësi të kufizuara, përmes programeve të posaçme, që kontribuojnë në lehtësimin e integrimit të tyre në jetën shoqërore dhe ekonomike të vendit.

Në këtë konference ishte e pranishme edhe e ngarkuara me punë në ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Leyla Moses-Ones dhe zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Bardhylka Kospiri. Programi për integrimin e personave me aftës të kufizuara ka nisur prej vitit 2010 nga Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara në bashkitë Tiranë, Elbasan, Shkodër dhe Vlorë.

“Politikat e tregut të punës në Shqipëri sot, ofrojnë një paketë shërbimesh dhe programesh për të lehtësuar kalimin e individëve në punë të mirë. Ndihmë më intensive dhe më e synuar u jepet atyre që kategorizohen si ‘të vështirë për t’u vendosur në punë’ siç janë dhe personat me aftësi të kufizuara (PAK)”, tha ministrja Denaj. Një theks të veçantë, ministrja vendosi tek Strategjia Kombëtare për Punësim dhe Aftësi 2019-2022 dhe te ligji i ri “Për nxitjen e Punësimit’ dhe Fondit Social të Punësimit, si dy iniciativat më të afërta të ndërmarra e që pritet të nisin zbatimin.

Në përputhje me vizionin e qeverisë, kjo strategji synon të mbështesë përfshirjen në tregun e punës të grupeve vulnerabël, ku janë përfshirë dhe PAK. Qeveria shqiptare mbetet e angazhuar për të sjellë rezultatet përfundimtare të kuadrit rregullator brenda gjysmës së parë të vitit të ardhshëm. Sipas të dhënave për këtë program, numri i PAK të përfshirë është rritur nga 17 pjesëmarrës në vitin 2014 në 108 pjesëmarrës në vitin 2018. Në qendrat publike të formimit profesional sot ofrohen libra shkollorë dhe materiale mësimore për 42 kurse nga 52, të rishikuara në lidhje me gjininë dhe gjuhën të ndjeshme ndaj personave me aftësi të kufizuara.