Padia e Presidentit ndaj Dvoranit, PD: Akt i duhur në mbrojtje të Kushtetutës

Partia Demokratike e cilëson “një akt në mbrojtje të Kushtetutës dhe integritetit të Gjykatës Kushtetuese”, kallëzimin e penal që Presidenti Ilir Meta firmosi sot ndaj kreut të KED, Ardian Dvorani.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, në një deklaratë për mediat deklaroi se nga hetimi i prokurorisë dhe veprimet mbi këtë padi do të varet dhe besueshmëria në sistemin e ri të drejtësisë.

Bardhi u shpreh me veprimet e tij në shërbim të partisë në pushtet, Dvorani ka minuar ligjshmërinë dhe besueshmërinë e Gjykatës Kushtetuese.

Deklarata e plotë e Sekretarit të Përgjithshëm i PD:

“Kallëzimi penal i Presidentit të Republikës ndaj Kryetarit të KED është akti i duhur në mbrojtje të Kushtetutës dhe integritetit të Gjykatës Kushtetuese.

Me veprimet e tij në shërbim të partisë në pushtet, Ardian Dvorani ka minuar ligjshmërinë dhe besueshmërinë e Gjykatës Kushtetuese.

Partia Demokratike beson se një hetim i shpejtë, i plotë dhe i pavarur  i shkeljeve të ligjit nga Ardian Dvorani, është një gur themeli për rikthimin e besimit tek drejtësia.

Nga veprimet e prokurorisë do të varet, nëse shqiptarët mund të besojnë akoma se Reforma në Drejtësi nuk u bë që sistemi të kontrollohet nga Edi Rama, por për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së politikanëve dhe zyrtarëve të korruptuar dhe për të trajtuar shqiptarët si të barabartë para ligjit”.

Lexoni edhe…