“Feja si instrument për Paqen”, Vatican News jehonë konferencës në Tiranë

Në Tiranë më datën 18 e 19 nëntor, Presidenca e Republikës së Shqipërisë dhe Departamenti i Shtetit amerikan kanë organizuar një takim me temë “Feja si një instrument për paqen”. Shqipëria synon kështu, të bëhet ai model bashkëpunimi dhe harmonie ndërmjet feve, që e vuri në dukje edhe Papa Françesku, gjatë vizitës së tij në Tiranë, në vitin 2014.

Pjesëmarrësit në konferencë

Në këtë konferencë marrin pjesë, përveç presidentit Ilir Meta, i cili foli sot, edhe ambasadori i posaçëm i presidentit amerikan, Donald Trump, për lirinë fetare në botë, Sam Brownback, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, kryetari i parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, kryetari i parlamentit të Malit të Zi, Ivan Brajović, krerët e bashkësive fetare në Shqipëri, Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe përfaqësues të vende të tjera të rajonit.

Kisha Katolike përfaqësohet nga kardinali Ernest Simoni (Troshani), nga kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot George Frendo, kryeipeshkëv metropolit i Tiranës, nga nunci apostolik, imzot Charles Brown, nga kryetari i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, imzot George Frendo, kryeipeshkëv metropolit i Tiranës, në sallë së bashku me krerët e bashkësive të tjera fetare të Shqipërisë, në praninë e teologëve e të klerikëve të ndryshëm, ambasadorëve, përfaqësuesve të Trupit Diplomatik, studiuesve, historianëve, akademikëve, ekspertëve dhe aktivistëve nga Shtetet e Bashkuara, Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Europian.

Fjala e presidentit Meta

Duke u ndalur në lirinë fetare, në bashkëpunimin me bashkësitë fetare dhe në problemet e tyre, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, u shpreh kundër “çdo forme fundamentalizmi, ekstremizmi, terrorizmi ideologjik apo dogmatik”. “Vazhdoni të edukoni dhe të inkurajoni të rinjtë tanë – iu drejtua ai përfaqësuesve të fesë – në mënyrë që të forcojmë vlerat e familjes, në mënyrë që t’i edukojmë edhe më mirë për t’i mbrojtur nga droga, nga lojërat e fatit dhe nga të gjitha veset e tjera në mënyrë që t’i edukojmë edhe më mirë për të qenë një rini e shëndetshme, për të qenë të rinj njerëzorë, tolerantë, të edukuar, të cilët me aftësitë e tyre, me talentin e tyre, i shërbejnë shoqërisë çdo ditë duke qenë vërtet shpresë për të ardhmen e vendit”.

Kthimi i pronave dhe kujdesi për të varfërit

Presidenti Meta nuk mungoi të vërë në dukje problemet e marrëdhënieve të bashkësive fetare me shtetin, duke filluar që nga “vështirësitë në blerjen e tokës për ndërtimin e vendeve të adhurimit” e deri tek “problemet në mbrojtjen e titullit në disa prona” e në rimarrjen e pronësisë për ato vende kulti, që konsiderohen trashëgimi kulturore. Presidenti nuk harroi shqetësimet e autoriteteve fetare “për ndikimin e huaj dhe ndërhyrjen në organizatat fetare shqiptare”, duke përvijuar edhe një nga rrugët për ta zgjidhur këtë problem: “duke u kthyer pronat e tyre do të siguronin një vetë-financim të mjaftueshëm për të administruar punën, pa asnjë varësi apo ndikim të huaj negativ dhe përçarës”.

Gjithashtu, Meta kërkoi një vëmendje më të madhe ndaj shtresave të varfëra të popullsisë nga ana e shtetit, në krye të të cilit është vetë, me qëllim që të “hartohewn dhe zbatohen politika më sociale dhe më përfshirëse për të gjithë ata të cilët janë më vulnerabël ndaj çdo lloj ndikimi negativ”.

Shkodra dëshmon kalvarin e komuniteteve fetare

Sot në ditën e dytë e të fundit të konferencës, pjesëmarrësit ishin në Shkodër, ku u pritën nga Krerët e bashkësive fetare të qytetit, duk u nisur nga Katedralja katolike e Shën Shtjefnit. Pas një vizite të shkurtër në Katedralen katolike, pjesëmarrësit vizituan bibliotekën dhe muezun ku martirët e komuniteteve fetare të të gjitha besimeve vuajtën dhe iu lutën Zotit për mbijetesë gjatë periudhës komuniste. Këto janë dëshmi se si u ndalua liria fetare dhe u bë përndjekja e padëgjuar dhe e tmerrshme fetare në Shqipëri.

Vizita vazhdoi pastaj deri në Katedralen ortodokse, e cila pas rënies së komunizmit u rindërtua më 1992. Vizita vijoi pastaj deri te Xhamia e Ebu Bekërit, që është ngjitur me Katedralen ortodokse. Pas vizitës në Tempujt e komuniteteve fetare, vizita vijoi në Muzeun Kombëtar të Fotografisë “Marubi” kushtuar fotografisë dhe fotografëve shqiptarë.

Po t’i kthehemi temës së kësaj konference “Feja si instrument për Paqen “ e në mikrofonin e Elidon Dodajt nga Tirana, së pari të dëgjojmë kryetarin e Konferencës Ipeshkëvnore Katolike të Shqipërisë, imzot George Frendo, kryeipeshkëv metropolit i Tiranës.

Linku i artikullit ”Vatican News”