Duka: Hysaj qëndron te Napoli edhe në janar, Ancelotti do të largohet

Në një intervistë për “Corriere dello Sport”, Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka folur për të ardhmen e Elseid Hysajt te Napoli.

 

“Më pëlqen shumë Hysaj, madje edhe kundër Francës luajti një ndeshje të mirë. Në fakt mendova se ai mund të qëndronte në fushë deri në fund të lojës. Sipas mendimit tim, ai meriton të luajë dhe nuk do të largohet në janar.

Do të jetë Ancelotti, ai që do të largohet nga Napoli. Më vjen keq për të, pasi unë jam një tifoz i Milanit. Nga sa di unë, De Laurentiis tashmë po kërkon një trajner tjetër.

Në fund të sezonit e di që edhe Hysaj mund të largohet, sepse e ka kontratën drejt skadimit. De Laurentiis? Më kanë thënë që nuk është e lehtë të punosh me të. Në vend të tij, unë njoh Andrea Agnelli, idetë e të cilit i vlerësoj”.

Hysaj mbërriti te Napoli nga Empoli në vitin 2015, bashkë me mentorin e tij Maurizio Sarri, duke qenë një nga protagonistët e skuadrës. Këtë vit, ka luajtur vetëm 4 ndeshje, prej tyre vetëm 1 si titullar.