Bumçi: Nëse s‘ka zgjedhje të parakohshme, protestat nuk do jenë më xhiro në bulevard

Ish-deputeti demokrat, Albo Bumçi, deklaron se nëse qeveria nuk realizon reformën zgjedhore dhe krijon kushtet për zgjedhje të parakohshme, opozita do të nis protestat.

Duke folur në studion e lajmeve të News 24, Bumçi tha se “protestat u ndalën për shkak të integrimit (deri më 18 tetor) sepse nuk donim të dukeshim sikur ishim ne ata që po pengonim Shqipërinë, kur në fakt është kriza e rëndë”.

Tani po punojmë për reformën zgjedhore dhe sapo reforma të përfundojë është gati baza ligjore për zhvillimin e zgjedhjeve. Ndërkohë janë ngritur dhe institucionet kryesore të drejtësisë, ndaj duhet të shkojmë në zgjedhje të parakohshme, në pranverë, në mars 2020. Kjo është zgjidhja! Nëse nuk ndodh kështu, ne do të dalim në protesta, të cilat nuk do të jenë më një shëtitje në Bulevard”,- tha Bumçi.

Duke argumentuar se pse vendi duhet të shkojë në zgjedhje pikërisht pas 4 muajsh, Bumçi u shpreh se: “Shqipëria është e sëmurë, po lëngon. Është kancer, që i ka prekur organet vitale të trupit. Ekonomia është në krizë shumë të rëndë. Duhet zgjidhje dhe zgjidhja vjen me zgjedhje të parakohshme, të lira e të ndershme. Sa më gjatë të zgjasë kjo, do të çojë në një situatë, që do jetë e vështirë ta rikthejmë. Shkaktari i krizës është Edi Rama. Ke një person të plotfuqishëm, që arriti të bëjë aktin më të frikshëm, të shkelë Kushtetutën. Një anëtar u fut për të shkelur Kushtetutën, për t’i marrë presidentit të drejtën kushtetuese. Rama e zhduku Gjykatën Kushtetuese për dy vjet dhe tani që po ngrihet thotë dua ta kontrolloj plotësisht”.