Të jesh Grida Duma! Ish-deputetja flet për jetën personale

Ajo është e fuqishme, me një karizëm të spikatur që nuk i merr borxh asgjë feminilitetit! Ndihet aq e vërtetë! Kur je me të ke siguri, e mbi të gjitha në ndryshim nga ajo që mund të pritet pasi e sheh në debate, është aq e rehatshme biseda me të. Grida Duma, pa hezitim mund të konsiderohet politikania që merr vëmendjen më të lartë në dimensionin publik. Nuk është e rrallë që shumëkush pyet, “si ja del të jetë një personazh që mban pesha publike të mëdha dhe të përballojë ciklonin e mediave”?! Ne e kujtojmë se si ajo në vitin 2013-të krejt e vetme mbronte në çdo studio debatesh Partinë Demokratike dhe arrinte të bënte anëtarët e asaj partie të ndjeheshin jo humbës, pavarësisht rrotacionit politik të sapondodhur. Në atë kohë u kthye në një fenomen mediatik. Sot Grida Duma është gati një logo e vetvetes, ajo ka identikitin e vet të qartë e plotësisht të spikatur. Rrëfim i gjatë pa doreza i ish-deputetes Duma për Revistën ”Class”.

Si nis një ditë e zakonshme në jetën tënde?

Shpesh nis me mungesë gjumi, me nevojën për të fjetur më shumë.

Kur zgjohesh?

Rreth 7 apo 7.30 përveç të shtunave dhe të dielave që i dua veçanërisht për gjumin e gjatë.

Kur fle?

Thuajse asnjëherë para orës 1 të mëngjesit.

E çon djalin në shkollë?

Thënë më mirë e përcjell, bëjmë mëngjes të dy. Është pjesa më e bukur e ditës, nëse ka një gjë që më zgjon me qejf nga gjumi është që do t’i ngatërrohemi njëri-tjetrit në kuzhinë, duke bërë mëngjes dhe do shkëmbejmë batuta të shkujdesura.

Të ndihmon dikush për punët e shtëpisë?

Ndonjëherë, por jo përditshëm. Të merrem me shtëpinë e kam kënaqësi personale, shije jete. Nëse ka diçka që më shlodh, është të bëj ndryshime nëpër shtëpi të vogla apo të mëdha. Shtëpia është ishull i domosdoshëm që jep qetësinë e domosdoshme madje jetike.

Sa herë në javë shkon tek parukjerja?

Shpesh, nuk mund ta numëroj sa herë. Më shërben  një zotëri shumë i talentuar, dhe jo një zonjë. Më duhet të shkoj shpesh për shkak të prezencës në media kryesisht. Ky pashmangshmërisht është një dëm i vazhdueshëm që i bëj flokëve.

Di ta bësh grimin vetë?

Sigurisht!

Çfarë do të thotë të jesh një grua në politikë?

Shumëçka, por herë herë asgjë më shumë se të jesh burrë në politikë. Jemi të gjithë të qartë që për gruan vështirësitë janë më të mëdha sepse politika është edhe art i forcës dhe kjo i është atribuar burrit përgjatë historisë. Tashmë mendoj që me gjithë vështirësitë e shumëanshme gruaja ka shansin të përfitojë nga një botë që po ndryshon dukshëm. Besoj po ashtu që të flasësh shpesh për këtë është edhe dëmtuese. Bota e burrave ka vështirësitë e veta për të cilat si sociologe besoj flitet shumë pak. Madje një dhunë e madhe që i bëhet burrit është gjykimi që i bëhet atij nëse flet për vështirësitë.

Cilat kanë qenë sfidat e tua më të mëdha?

Koha! Sfida dhe ankthi im, është dhe mbetet koha. Më përndjek ideja që koha ikën dhe ajo që vjen nuk pret shumë derisa të ikë. Gjithmonë kam menduar që ka shumë pak kohë. Në të përditshmen është sfidë e jo e vogël të mbash disa impenjime njëkohësisht. Nuk kam sfida me asnjë arritje tashmë veçse të përmirësoj çdo gjë që bëj. Mbaj mend që sfidat konkrete më kanë ndalur që nga koha që kam qenë studente dhe kujtoj kur merrja pjesë në forumet e debateve të Europës Juglindore. E merrja si sfidë personale të arrija në vendet e para dhe të dëgjoja që kur shpërndaheshin vlerësimet nga juritë të thuhej, Shqipëria merr vendin e parë apo të dytë, aty mbaj mend të kem jetuar në sfidë. Të gjitha të tjerat që rrodhën pasi nisa të punoj, kanë qenë një rrugëtim për të ecur në etapën tjetër, por jo sfidë. Mendoj që më ka ardhur shpejt qartësia se shumë gjëra nuk varen vetëm nga ajo që përpiqemi. Kështu nuk varet nga ne nga e nisim, dikush e nis me disa avantazhe dhe dikush jo. Nuk shoh asgjë si sfidë tashmë. I vetmi reflektim që kam është a bëj gjithçka që gjërat të realizohen. Pas kësaj besoj në forca më të mëdha se vetja ime.

Çfarë nuk pranojnë dot deputetët (burra) te koleget e tyre gra?

Nuk kam vënë re asgjë të tillë. Ka respekt të plotë madje.

E keni ndjerë ndonjëherë veten të diskrimuar nga gjinia në parlament?

Asnjëherë, sepse për mua politika nuk është arena e diplomacisë është arena e betejës. Nëse pret të jetë ndryshe atëherë nuk je në politikë.

Cila është frika më e madhe, nga e cila i ruheni shumë politikës?

Që të rrezikon të mos  shijosh jetën për vete, të bëhet pjesë e ushqimit mendor dhe nuk e mban dot jashtë derës së shtëpisë.

Do të hiqnit dorë një ditë nga politika nëse…

Nuk e kam menduar atë “nëse”, mund edhe të jetë një “nëse”, por do ta di kur të hasem me të.

Ju me sytë tuaj jeshil fatal, jeni ndjerë e penalizuar nga fakti që jeni një grua e bukur?

Bukuria është e shtrenjtë, është një dhuratë e cila duhet vlerësuar sepse të jep mbi të gjitha një vetëndjerje të mirë, por padyshim si gjithçka e kësaj bote ka anën e vet të kushtueshme. Po e ka.

Është problem të jesh e bukur kur je politikane?

Jo domosdoshmërisht, varet plotësisht nga individi.

Cili është sekreti dhe rutina që ndiqni për të qëndruar gjithmonë në formë?

Kujdesem shumë për ushqimin, nuk konsumoj thuajse kurrë verë apo pije alkoolike, përpiqem që dy herë në javë të mund të ushtrohem në palestër; nuk kapërcej asnjë vakt, pak apo sado të ha vlen që mos ta lë stomakun bosh nëse nuk kam mundësi të ha drekën si duhet. Po aq përpiqem mos të ha pas orës 8 në darkë.

Cila është politikania shqiptare model që vlerësoni?

Është ende herët të pyesim për politikane model në gjithsej 30 vite tranzicion politik. Mundet që më pas në kohë pasi historia të filtrohet të mund të kem një opinion të tillë, por deri sot mund të shprehem me siguri që për mendjeprehtësinë dhe idealizmin e forcës, kam  pasur fatin të ndaj mendime me Liri Belishovën, grua e madhe që e humbëm pak kohë më parë.

Cili është udhëtimi më i bukur që keni bërë?

Toskana, do të mbetet përherë memoria ime e udhëtimit të bukur.

Je romantike?

Nuk mund ta them unë këtë, është një vetëvlerësim që nuk e përcaktoj dot qartë; por di që jam detajiste dhe vlerësoj cilësinë se si shprehen gjërat.

Cili është versioni më romantik i yti?

Nuk di nëse kam një version të tillë, por mendoj që njeriu dhuron shumë kur tregon kujdes për tjetrin, në gjërat e vogla të përditshme deri tek të mëdhatë. Por ndërsa ju përgjigjem më vjen ndërmend një thënie që shpesh e rimendoj: ska romancë më të madhe se njeriu që të bën të qeshësh dhe të qeshësh përditë edhe me veten.

Cilët janë Top 5 librat më frymëzues për ty?

E vështirë të zgjedh kam shumë më shumë se pesë, por po i radhis:

Komedia Hyjnore       D. Aligheri

Bota e djeshme           Stefan Cvajg

Don Kishoti                Servantes

Revolta e Atlasit         Ayn Rand

Rrno për me tregue     Zef Pllumi

5 filmat më të bukur?

Amadeus
Artificial Intelligience
Shadowlands
Road to perdition
Age of innocence
Gonne with the wind
City lights

Pedagogjia dhe politika konsiderohen dy fusha të forta të shoqërisë sonë, cilën zgjedh me zemër dhe cilën me mendje?

Të dyja e kanë kiminë e mendjes dhe shpirtit, absolutisht të dyja.

Një këshillë për vajzat e reja që duan t’i futen politikës?

Mos kthe kokën pas, ke hyrë, qëndro! Durim, dedikim, punë në grup. Në politikë ka nevojë për çdo përfaqësim, nuk është e thënë aspak që duhet të vish nga akademia, nga media apo nga fusha të zëshme. Politika është vetë zëri, i jep dëgjesë çdo talenti dhe çdo profesionisti. Gjthmonë nëse është i pajisur me durim dhe me këmbëngulje. Është po aq art i punës në grup; nuk e zhvillon dot pa të tjerët. Duhet doemos të kesh temperuar durimin sepse je pjesë e një organizate ku kryqëzohen shumë rrugëtime.

Çfarë mendon se e bën një grua të suksesshme?

Qëndrueshmëria dhe gjerësia. Për një grua është më e domosdoshme se për një burrë të kuptojë se duhet gjerësi vizioni në karrierë, duhen tejkaluar të gjitha barrierat e vogla dhe që po t’i shohësh nga larg në fakt janë të parëndësishme. Shumë gjëra që e lodhin një grua në karrierë janë më të vogla se vetë rruga e saj. Mjaft gra tërhiqen sepse i japin rëndësi elementëve të vegjël.

Nëse do të ktheheshe pas në kohë çfarë do të bëje ndryshe?

Do t’i kisha shtuar formimit tim studime në drejtësi. Sociologjia dhe makroekonomia janë fushat e mia të ekspertizës, por nëse do mundja të shtoja këndin e tretë do të ishte drejtësia.

Cili është komplimenti më interesant që ju ka thënë djali juaj?

“S’ka lindur akoma një grua si ti”, shpresoj mos të më ketë përkedhelur me një shprehje filmash.

Cili është njeriu që mendoni se ju njeh më mirë në këtë jetë?

Motra ime e vogël, Geri. Kur ajo lindi ishte bekimi mëi madh që na u fal në shtëpi. Që bebe, kur i qëndroja afër ndërsa flinte, ajri që e rrethonte ishte si prej bote tjetër, tek asnjë fëmijë nuk e kam sensuar atë ndjeshmëri, ishte si një aurë e një bote të plotë, të paqtë. Të njëjtën ka edhe sot!

Kush në familje ju ka influencuar më shumë në zgjedhjet që keni bërë deri tani?

Ime më, është lokomotivë motivimi për të shkuar në hapin tjetër.

Cili është mesazhi juaj për konceptin e lirisë së zgjedhjes për jetën familjare?

Liria e zgjedhjes kushtëzohet nga mundësitë që ka njeriu të jetë i lirë. Të jemi realist, mundësitë ekonomike kanë qenë dhe mbeten bazament lirish, pas plotësimit të tyre mund fillojnë liritë. Ndoshta edhe për këtë jam e djathtë në besimet e mia. Edhe sepse besoj që zhvillimi shpirtëror shkon bashkë me krijim e mundësive për një jetë të mirë. Çdo njeri që i bën zgjedhjet e veta jo i kushtëzuar nga rrethanat, cilëndo zgjedhje, qoftë dhe atë familjare, ka bërë zgjedhjen e duhur. Për mua jeta e mirë është vetëm ajo që bëhet pasi kemi zgjedhur atë që mendojmë, të pashtrënguar nga kushtet dhe nevojat apo edhe jetët e të tjerëve.