Përvjetori i revoltës studentore, përplasje me policinë dhe mesazhe kundër Kryeministrit

Athina dhe qytetet më të mëdha greke kanë përkujtuar 46-vjetorin e revoltës studentore, që do i paraprinte fundit të grushtit ushtarak në vend. në demonstrata nuk munguan përplasjet me policinë, por edhe mesazhet kundër kryeministrit Micotaqis.

Rreth 30 mijë qytetarë grekë përkujtuan në Athinë 46-vjetorin e revoltës studentore kundër grushtit ushtarak.

Ngjarja që për popullin grek simbolizon përpjekjet për liri dhe demokraci, i referohet protestës në Politeknikun e Athinës në vitin 1973, ku 24 studentë do të vriteshin në universitet nga ushtria.

Prej asaj kohe, forcat e rendit nuk lejohet të hyjnë në ambientet universitare të vendit.

Por gjatë marshimit në kryeqytet dhe në qytetet e mëdha greke, demonstruesit kritikuan kryeministrin Qirjakos Micotaqis për nismën ligjore që e kthen pas këtë dispozitë historike dhe lejon futjen e policisë në shkollat e larta për të forcuar rendin publik.

Ligji gjithashtu dënon deri në 10 vite burg personat që hedhin bomba molotov në protesta.

“Trysnia e qeverisë këto javët e fundit po vë në pikëpyetje të drejtat themelore të studentëve, të arsimimit dhe të lirisë,” deklaron një student.

“Sikurse në të kaluarën, studentët do i rezistojnë politikave autokratike. Ne do ndjekim shembull si ata para nesh, edhe pse në një skenë politike krejtësisht ndryshe dhe neoliberale,” shprehet një tjetër studente.

Të dielën, demonstratat qytetare u zhvilluan brenda kordonëve të mijëra trupave të policisë.

28 persona u arrestuan në Athinë për sulme kundër forcave të rendit dhe për tentativa për veprime të kundërligjshme.