Ndeshja me Francën, blindohet “Air Albania Stadium”. Rrugët që bllokohen në Tiranë

Ndeshja e kombëtares shqiptare me Francën, sot në Tiranë, ka vënë në lëvizje gjithë strukturat e Policisë së Shtetit dhe agjencitë speciale për ruajtjen e rendit.

Ndërkohë e gjithë vëmendja do të ndalet sot tek “Air Albania” ku kombëtarja shqiptare do të përballet me Francën, ndaj Policia e Shtetit ka marrë një sërë masash duke ‘blinduar’ stadiumin e ri. Në terren për të monitoruar situatën janë 800 forca policie.

Mësohet se në terren janë angazhuar FNSH, forcat operacionale, Rendi dhe Shqiponjat. Ndërkohë në orën 12:00 do të hiqen të gjithë mjetet e parkuara në zonën e stadiumit. Po ashtu bëhet e ditur se do të lejohen vetëm mjetet e autorizuara nga federata, te cilat do i nenshtrohen kontrollit fizik dhe me qen antieksploziv.

Në oren 17:30 do të bllokohen rrugët lidhëse me stadiumin, ndërsa e lirë do të mbetet vetëm rruga e Elbasanit dhe Unaza.

Bëhet e ditur se mjetet do të parkohen në stadiumin ‘Selman Stermasi’, Asllan Rusi apo dhe në Sheshin Skënderbej dhe para fakultetit të Ekonomikut.

Detaje nga festa e inaugurimit të “Air Albania Stadium”

Mbrëmjen e sotme do të inaugurohet stadiumi më i ri në Shqipëri, “Air Albania Stadium”, me përballjen e Kombëtares shqiptare me kampionët e botës, Francën. Ceremonia që do të zhvillohet përpara fillimit të ndeshjes është organizuar nga kantautori Ardit Gjebrea.

Himni shqiptar do të këndohet nga artistja Juliana Pasha, ndërsa artistja tjetër, Besa Kokëdhima do të këndojë himnin francez. Era Istrefi dhe Flori Mumajesi do të jenë emrat “big” të muzikës që do të performojnë nga tre këngë për tifozët që do të mbushin shkallët e stadiumit.

Ndërkohë, 460 fëmijë do të shpalosin një koreografi të veçantë. Për këto dhe shumë surpriza të tjera do të pritet nisja e ceremonisë, ndërsa ndeshja do të fillojë në 20:45.