Totti në stadium? Përgjigja e Hysajt për “Koha Jone” bën xhiron në mediat italiane (VIDEO)

Kapiteni i kombëtares sonë, Elseid Hysaj është optimist për një rezultat pozitiv ndaj Francës të dielën në mbrëmje, por ai nuk shpreson në një dhuratë nga kombëtarja e “gjelave”. Duke folur në konferencën për shtyp për mediat, lojtari i Napolit ju përgjigj edhe pyetjes së gazetës “Koha Jone” në lidhje me të ardhmen dhe praninë e Francesco Tottit, i cili pritet të jetë në “Air Albania Stadium” për ta ndjekur nga pranë.

A ju motivon më shumë fakti që në stadium do të jetë i pranishëm edhe Francesco Totti, pasi përflitet prej kohësh për një kalim tuajin te Roma?

 

“Unë besoj më shumë faktit që do na ndihmojë më shumë tifozeria jonë. Kur erdhëm dolëm 5 minuta jashtë për të parë stadiumin e ri. Besoj se brohorimat do na ndihmojnë më shumë, pastaj nëse do të jetë Francesco Totti apo ndonjë lojtar i Romës më vjen mirë që do të vijë për të parë një ndeshje të tillë. Fjalët për Romën? Mendoj vetëm të rikuperoj vendin tim si titullar dhe më pas do të shohim”.

Deklarata ka bërë xhiron në mediat italiane që e kanë cilësuar si një përgjigje që largon disi interesimin e skuadrës verdhekuqe.

Pjesë nga intervista për mediat

Franca – “Besoj që ne do të hyjmë sikur në ndeshjet e kaluara, jo si me Andorrën, pasi në këtë ndeshje duhet të ishim më të egër në fushë. Ne e kemi kuptuar këtë gabim dhe do të hyjmë më një mentalitet tjetër”.

Griezmann dhe Mbappe – “Do të jetë ndeshje me e vështirë, pasi Franca ka shumë kampionë si Griezmaan, Mbape. Kanë krijuar një grup më të mirë se në kualifikimet e kaluara. Ato kualifikuese kemi luajtur me zemër se sa me skema. Tashmë duhet të bëjmë një ndeshje siç bëmë me Turqinë”.

Dhurata nga Franca – “Nuk besoj se Franca më këta kampionë ta na falin pikë apo fitore. Profesionistët janë gati të marrin pikët dhe të fitojë, miqësore apo ndeshje zyrtare. Duhet të jemi me mentalitet më të fortë. Kemi treguar se dimë të luajmë dhe jemi të fortë. Nuk jemi si më parë që vraponim në fushë. Kemi treguar se dimë të luajmë duhet të kemi besim , ashtu si Moldavia që pati dhe rastet e veta ndaj Francës. Duhet të jemi të qetë dhe të hyjmë më besim”.

Shqipëria me zemër – “Ne prapë luajmë me zemër por me Rejën po bëjmë një lojë që luajmë mirë. Filmi më kujtoi disa çaste që nuk i kam ndjerë në fushë dhe të gjitha stadiumet ishin kuq. Rastet me Serbinë na bënë të na bëhej mishi kokrra”.

Përurimi i stadiumit – “Do të jetë një ndeshje e veçantë. Këtë stadium nuk e kemi pasur as në ëndërr. Është stadium për skuadra të mëdha dhe lojtarë të mëdhenj. Do mundohemi ta respektojmë këtë stadium me një ndeshje të mirë dhe me një rezultat”.