Byrek shqiptar e tavë kosi në Manhatan

Nju Jorku, një nga qytetet më të mëdhenj në botë, e tepër të njohur për gamën shumë-ngjyrëshe të restoranteve, ka mes tyre “Dua Kafe”, një restorant i vogël që ofron gatime shqiptare, që nga byreku e deri te tava e kosit. Pronarët e “Dua Kafe” janë një çift shqiptarësh, Aida dhe Bobian Demçe, ajo nga jugu dhe ai i lindur në veri të Shqipërisë. Çifti tregon për televizionin amerikan, CBS, se vendimi për të hapur një restorant tradicional shqiptar në një qytet si Nju Jorku nuk ishte aspak i lehtë, e madje i frikshëm. Aida më në fund u bind nga bashkëshorti i saj, Bobiani, i cili kishte besim të plotë te aftësitë e saj të gatimit. Restoranti ka foto dhe dekorime nga Shqipëria, dhe i qëndron besnik traditës shqiptare në gatim, duke tërhequr kështu jo vetëm shqiptarët, por edhe amerikanë e kombësi të tjera.