10% e shqiptarëve blejnë online – Burrat kërkojnë pajisje elektronike, ndërsa gratë rroba

Një ndër 10 shqiptarë kryen blerje nëpërmjet internetit. Anketa e Instat për përdorimin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit në familje jep për herë të parë një tablo lidhur me shkallën e përdorimit të tregtisë elektronike nga shqiptarët. Me një nivel prej 10.1%, Shqipëria është ende larg mesatares globale. Statistikat e tregtisë elektronike tregojnë se rreth 40% e përdoruesve të internetit në botë kanë kryer të paktën njëherë blerje online.

Shifrat e Instat japin gjithashtu edhe një ndarje të përgjithshme për llojet e mallrave që shqiptarët blejnë nëpërmjet internetit. Këtu bien në sy diferenca të ndjeshme gjinore. Për burrat, blerjet online konsistojnë kryesisht në pajisje kompjuterike, me 63.3% të totalit. Ndërsa afro 57% e grave blejnë përmes internetit kryesisht veshje.

Zgjerimi i blerjeve online mes konsumatorëve shqiptarë po ecën paralelisht me rritjen e përdorimit të internetit, por edhe të instrumenteve të pagesave elektronike. Sipas Instat, 68.6% e shqiptarëve nga mosha 16 deri në 74 vjeç janë përdorues të internetit. Përqindja e shqiptarëve që përdorin internetin është rritur me 6 pikë krahasuar me vitin 2018.

Ndërkohë, sipas Bankës së Shqipërisë, numri i kartave aktive të lëshuara nga sistemi bankar shqiptar është rreth 1.1 milionë, nga të cilat rreth 10% janë karta krediti.

Vlerësohet se volumi global i tregtisë elektronike këtë vit të arrijë në rreth 25 trilionë dollarë amerikanë. Tregu dominohet nga Kina, ku volumi i shitjeve përmes internetit është rreth 2 trilionë dollarë.

Në Shqipëri, tregtia elektronike nga këndvështrimi i sipërmarrësve ngelet ende larg tendencave globale. Ndonëse nuk ekzistojnë statistika për volumet e shitjeve të realizuara nëpërmjet internetit, anketimet e Instat kanë treguar se vetëm 5.7% e bizneseve (përfshihen bizneset me më shumë se 10 të punësuar) ofrojnë shitje online.