Zbrazet qyteti, rreth 100 të rinj lënë Kukësin çdo javë

Prej më shumë se tre vitesh qyteti i Kukësit ka filluar të boshatiset. Shumë të rinj kanë marrë rrugët e emigracionit, ndërsa rreth 100 të rinj në javë lënë Kukësin duke udhëtuar drejt shteteve të perëndimit.

Të shumta janë kompanitë turistike që operojnë në treg në transportin e udhëtarëve të cilët jashtë kamerave pohojnë se numri i të rinjve që lënë Kukësin është i madh. Qarku i Kukësit renditet me numrin më të lartë të emigracionit ku vetëm në muajin tetor, janë 1011 aplikues për pasaportë biometrike kryesisht të moshave të reja, sipas FaxNews.

Burime nga zyra e gjendjes civile Kukës bëjnë me dije se këtë muaj ka pasur një numër të lartë aplikuesish pasi në Lotarinë Amerikane ka qenë një kusht, që aplikantët duhet të aplikojnë me pasaportë biometrike, por pranë zyrave të gjendjes civile janë paraqitur edhe të rinj që kanë aplikuar.