Përmbytje, zjarre, epidemi

Përmbytje ekstreme në Venecia, zjarret në Australi e madje edhe shpërthim epidemie në Kinë, të gjitha këto i janë atribuar ndryshimeve të klimës këtë javë ndërkohë që kërkuesit kanë paralajmëruar se ngrohja globale mund të ngarkojë gjeneratat e ardhshme me sëmundje që zgjasin përgjatë gjithë jetës. Venecia shpalli gjendjen e emergjencës pas përmbytjeve apokaliptike që zhytën nën ujë bazilikën historike të saj dhe sheshet apo ndërtesat qindra vjecare. “Ky është rezultat i ndryshimeve të klimës”, tha kryebashkiaku Luigi Brugnaro. Në anën tjetër të botës, pjesë të Australisë janë zhuritur nga zjarret e egra këtë javë me katër persona që kanë humbur jetën dhe me komunitete të tëra që janë detyruar të braktisin shtëpitë për të shpëtuar nga flakët.

Në Kinë, zyrtarët e shëndetësisë kanë raportuar shpërthimin e një murtaje të rrallë pneumonike pasi dy raste u konfirmuan në Pekin. Ata ishin infektuar në mongoli, ku popullata e brejtësve është shtuar në mënyrë dramatike si pasojë e thatësirës së vazhdueshme, shkaktuar nga ndryshimet e klimës. Një zonë me përmasat e Holandës ishte goditur nga murtaja e minjve, verën e kaluar. Dhe pasoja akoma më të rënda për shëndetin po zbulohen.

Revista mjekësore The Lancet, publikoi një studim ku thuhej se ndryshimi i klimës po dëmton shëndetin e njerëzve përmes rritjes së numrit të eventeve ekstreme të motit apo përshkallëzimit të ndotjes së ajrit. Një botë më e ngrohtë, rrezikon mungesë ushqimesh, sëmundje infektive, përmbytje dhe të nxehtë ekstrem. Nëse nuk bëhet diçka paralajmërojnë kërkuesit, pasojat do të rëndojnë mbi një gjeneratë të tërë me sëmundje dhe epidemi gjatë gjithë kohës. /TCH/