Meta në Presidencë, nis ceremonia e betimit për anëtarët e Kushtetueses

Presidenti Ilir Meta ka mbërritur në Presidencë. Pas pak pritet betimi i anëtarëve të rinj të zgjedhur të Gjykatës Kushtetuese, Elsa Toska, Marsida Xhaferllari dhe Fiona Papajorgji. Dy u votuan nga Kuvendi dhe një u dekretua nga Presidenti. Kjo në mbështetje të nenit 129 të Kushtetutës dhe nenit 8 të ligjit nr. 8577/2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”, të ndryshuar.

Për Arta Vorpsin, kandidatja e cila ishte e para në listën për vakancën e shpallur nga Kreu i Shtetit dhe që sipas vendimit të botuar në Fletoren Zyrtare, është shpallur automatikisht anëtare e Gjykatës Kushtetuese, është publikuar në media një dokument i noterizuar ku shkruhet se ajo është betuar me dorën në Kushtetutë për të mos shkelur Kushtetutën.

Në presidencë, erdhën si të ftuar në këtë ceremoni betimi janë edhe Vitore Tusha, anëtarja më e vjetër e Kushtetueses, të cilës i ka mbaruar mandati dhe pret të zëvendësohet, si dhe Besnik Muçi, anëtari që u zgjodh nga Meta dhe u betua në Presidencë më parë.

Oraret e betimit

Zonja Elsa Toska e zgjedhur anëtare e Gjykatës Kushtetuese me Vendimin nr. 133/2019 datë 11.11.2019 të Kuvendit të Shqipërisë, thirret për betim përpara Presidentit të Republikës, sot në datë 14.11.2019, ora 19:00.

Zonja Marsida Xhaferllari, e emëruar anëtare e Gjykatës Kushtetuese nga Presidenti i Republikës me Dekretin nr. 11350, datë 13.11.2019, thirret për betim përpara Presidentit të Republikës, sot në datë 14.11.2019, ora 19:30.

Zonja Fiona Papajorgji e zgjedhur anëtare e Gjykatës Kushtetuese me Vendimin nr. 134/2019, datë 11.11.2019 të Kuvendit të Shqipërisë, thirret për betim përpara Presidentit të Republikës, sot më datë 14.11.2019, ora 20:00.

Ceremonia e betimit zhvillohet në Institucionin e Presidentit të Republikës dhe për këtë ftohen të jenë të pranishëm dhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe Sekretari i Përgjithshëm i Gjykatës Kushtetuese.