Lirohet nga burgu ish-drejtori i Hipotekës në Durrës, ndryshon masa edhe për dy ish-punonjësit e Kadastrës

Gjykata e Apelit ka lënë të lirë Ardjan Iliazaj, ish-drejtorin e hipotekës në Durrës. Apeli ka vendosur si masë shtërnguese atë të “detyrimit të paraqitjes” për Iliazaj. Ai u arrestua pak ditë më parë në mega operacionin që akuzohej për tjetërsim të pronave neëbregdet.

Gjykata e Shkallës së Parë kishte vendosur arrest në burg për Iliazajn dhe për 18 punonjës të tjerë të Hipotekës, Aluizni-t dhe ish-punonjësit e ish-komunës Ishëm. Edhe për Renaldo Pasterma ka ndryshuar masa e sigurise, si dhe Albert Dodën.

Tre javë më parë, Gjykata vendosi: “arrest me burg” për Ardian Iljazajn, Bledar Zerba, Mikel Zahon, Sulejman Ibrahimin, Luigj Bashajn, Albert Dodën, Renaldo Pastërma, Delis Kapxhiu, Gjon Proja.

Nga qelitë janë lënë të lirë: Adrian Kona, Enver Shima, Rovin Zeqja, Latif Mullahi, Lekë Ndoj, të cilët janë vendosur në arrest shtëpie, Malvina Deçka dhe Elvia Nova, Gjergj Bushaj, ndaj të cilëve është vendosur masa e sigurisë detyrim paraqitje.

Të arrestuarit akuzohen për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Mashtrimi” dhe “Grupi i strukturuar kriminal, kryer në bashkëpunim”.

Nga hetimet ka rezultuar se përgjatë 5 viteve , nga viti 2013 e në vazhdim personat nën hetim kanë bashkëpunuar për të tjetërsuar tokën shtet përkundrejt përfitimit të vlerave të ndryshme monetare.