“Kryeprokurori”, Gjata: Rama nuk do lërë pa shpërblyer Markun

Prokurori Olsian Çela është renditur i pari në listën e Këshillit të Lartë të Prokurorisë për kandidatët për Prokuror të Përgjithshëm.

Çela ka grumbulluar 459 pikë, më pas në vendin e dytë është renditur Arta Marku me 406 pikë dhe Fatjona Memçaj me 362 pikë.

Lista me renditjen e kandidatëve do ti dërgohet për votim Kuvendit.  Në rast se asnjë kandidat nuk merr 84 vota, atëherë automatikisht Prokuror i Përgjithshëm do të zgjidhet ai që është renditur i pari.

Sekretari për çështjet ligjore në PD, Çlirim Gjata, i ftuar në RTV Ora thotë se logjika e detyron Kuvendin ti përmbahet renditjes së KED në votim, por ka dyshime se një gjë e tillë do të ndodhë.

Çlirim Gjata: Parlamenti normalisht duhet të respektojë radhën e KED, por kam frikë se nuk do ta lërë pa shpërblim Arta Markun, të gjithë ato shërbime që i ka bërë Ramës ajo.

I pyetur nëse PD do ta njohë kryeprokurorin e ri që do të zgjidhet nga Kuvendi, Gjata jep këtë përgjigje:

Çlirim Gjata: Ishalla se bën si me Gjykatën Kushtetuese. Po vazhdoi grushti konstitucional i shtetit, çfarë të njohim, çfarë duhen këto institucione? Hall pa bërë hile nuk ka ai njeri. Ai do të zgjedhë prokuror që i përshtatet atij më shumë, që i shërben atij më shumë. Arta Marku i ka dhënë provat që i shërben Edi Ramës, të shohim.