Gazment Bardhi: Arta Vorpsi s’ka njohuri kaq të ulëta mbi Kushtetutën. E kanë detyruar

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi ka reaguar në emër të selisë blu për vendimin e anëtares së Gjykatës Kushtetuese, Arta Vorpsi, e cila sot ka kryer betimin para noterit, në një kohë që Presidenti Ilir Meta ka deklaruar mosnjohjen e saj në këtë funksion.

Bardhi shkruan se e ka njohur Arta Vorpsin edhe përgatitjen e saj profesionale. Por sipas tij, Vorpsi duhet të jetë detyruar të ndërmarrë një veprim të tillë që për demokratin e bën atë njëlloj si Arta Marku, “një ushtare të pushtetit”.

“Të jem i sinqertë, Arta Vorpsin e njoh dhe, në vlerësimin tim profesional, nuk ka njohje kaq të ulët mbi Kushtetutën. Prandaj, kushdo që e ka detyruar të bëjë këtë veprim, thjesht e ka dëmtuar përpara opinionit publik, duke i vënë etiketën e Arta Markut, si ushtare e këtij pushteti, kundër shtetit të së drejtës. Me këtë skenar për shkeljen skandaloze të Kushtetutës, në vend që të përmbushë kushtet gjermane për standardet europiane të drejtësisë së pavarur, Edi Rama po zbaton parimin nazist “Çfarë është e mirë për Hitlerin, është ligjore”, shkruan ai.

Statusi i plotë i Gazment Bardhit, Sekretar i Përgjithshëm i PD-së

“Çfarë është e mirë për Hitlerin, është ligjore.”

Betimi tek noteri i kandidates së vetëshpallur si anëtare e Gjykatës Kushtetutese e kthen Shqipërinë në kohët më të errëta të diktaturës komuniste, kur gjithçka dhe kushdo varej nga vullneti i partisë, jo shteti i së drejtës.

Me aktin partiak noterial kandidatja e përdorur nga Edi Rama provon se nuk mund të jetë as ligjërisht dhe as moralisht garante e Kushtetutës.

Neni 129 i Kushtetutës është i qartë: “Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese fillon detyrën pasi bën betimin para Presidentit të Republikës.”

Tek noteri mund të bësh edhe “njësimin me origjinalit” të Ardian Dvoranit me Edi Ramën, por kjo nuk të mundëson ligjërisht ushtrimin e detyrës si anëtar i Gjykatës Kushtetuese.

Të jem i sinqertë, Arta Vorpsin e njoh dhe, në vlerësimin tim profesional, nuk ka njohje kaq të ulët mbi Kushtetutën. Prandaj, kushdo që e ka detyruar të bëjë këtë veprim, thjesht e ka dëmtuar përpara opinionit publik, duke i vënë etiketën e Arta Markut, si ushtare e këtij pushteti, kundër shtetit të së drejtës.

Me këtë skenar për shkeljen skandaloze të Kushtetutës, në vend që të përmbushë kushtet gjermane për standardet europiane të drejtësisë së pavarur, Edi Rama po zbaton parimin nazist “Çfarë është e mirë për Hitlerin, është ligjore.”