Bonusi i bebes pa efekt, bien lindjet

Në janar nisi shpërndarja e bonusit të bebes por lindjet vijojnë që të pakësohen në Shqipëri. Gjatë periudhës korrik-shtator në vend ka pasur rreth 10 % më lindje, nëse e krahasojmë me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Shqetësuese duket situta në Gjirokastër ku ka pasur më shumë vdekje se lindje.

Popullsia shqiptare po shkon drejt pakësimit. Të dhënat e INSTAT tregojnë se shtesa natyrore në tre mujorin e tretë ka pësuar një rënie me 17%. Ka pasur 10 % më pak lindje ose e përkthyer në persona 810 fëmijë më pak se nëj vit më parë. Gjatë periudhës korrik-shtator 2019, shtesa natyrore e popullsisë ka shënuar vlerën më të lartë në qarkun e Tiranës.

Shqetësuese paraqitet situata në Gjirokastër, ku numri i vdekjeve tejkalon me 53 numrin e lindjeve. Dhjetë nga dymbëdhjetë qarqet e vendit pësuan rënie të numrit të lindjeve në tremujorin e tretë 2019, krahasuar me tremujorin e tretë 2018. Rëniet më të mëdha shënohen në qarqet Gjirokastër me 18,4 % dhe Elbasan me 14,9 %.

Nga këto të dhëna duket se nisma e qeverisë për të dhënë shpërblime prej 40 mijë lekësh për lindjen e çdo fëmije nuk ka dhënë asnjë efekt në nxitjen e lindshmërisë. Të vetmet qarqe që kanë pësuar rritje janë Kukësi, i cili ka pasur 3 fëmijë më shumë se një vit më parë dhe Vlora e cila ka regjistruar dy fëmijë më shumë nëse e krahasojmë me një vit më parë. /Ora News/