79 mijë pacientë diabetikë përfituan barna falas në 10 muaj

78.527 pacientë diabetikë kanë përfituar barna falas 10 muajt e 2019. Shifrat janë bërë publike nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm i Kujdesit Shëndetësor, ku ndër të tjera ekspertët thonë se diabeti është një nga shkaqet kryesore të sëmundjeve kardiake, verbimit, amputimeve, sëmundjes së veshkave dhe vdekjes së parakohshme.

Specialistët e FSDKSH bëjnë apel për të kryer kontrollin mjekësor bazë, në mënyrë që sëmundja të zbulohet sa më herët. Ekspertët apelojnë që: ”Kryej Kontrollin Mjekësor Bazë për të kapur sëmundjen në kohë dhe për të shmangur komplikacionet. Mbro shëndetin”.

Sot është Dita Botërore e Diabetit dhe në kuadër të saj, në Tiranë por edhe disa qytete të tjera të vendit, bëhet kontrolli i sheqerit në gjak falas për këdo që është i interesuar. Diabeti është një sëmundje që po njeh gjithnjë e më shumë raste në vend dhe mjekët japin alarmin se po fillon të shfaqet edhe tek moshat e reja.

Më të rrezikuar nga kjo sëmundje janë personat mbipeshë dhe ata me presion të lartë të gjakut. Bluzat e bardha shtojnë se për ta parandaluar atë nevojiten ushqimet me pak sheqer, nivel të ulët yndyre dhe produkte të pasura me fibra. Në vendin tonë regjistrohen rreth 80 mijë të prekur nga diabeti.