Riatdhesohen 3 xhihadistë shqiptarë nga Turqia

Një shqiptar dhe dy kosovarë pritet të riatdhesohen nga Turqia për pjesëmarrje në grupin terrorist ISIS. Të dyshuarit janë pjesë e një kontingjenti prej 33 xhihadistësh që do u dorëzohen shteteve të ndryshme në Europë brenda muajit. Të dhënat zyrtare të viteve të fundit tregojnë se nga viti 2012, celulave xhihadiste të Al-Kaedës, Al-Nusrës dhe ISIS-it në Siri u janë bashkuar mbi 100 persona nga Shqipëria.

Shumë prej tyre mendohet të jenë radikalizuar dhe rekrutuar nga përkushtimi për fenë islame dhe përmes propagandës së drejtuesve të xhamive që nuk mbikëqyren nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë. Nga Kosova, numri i atyre që kanë udhëtuar drejt Sirisë dhe Irakut është tri herë më i lartë. Operacioni për dorëzimin e luftëtarëve të ISIS nisi këtë javë me kthimin në atdhe të disa shtetasve amerikanë, danezë dhe gjermanë.

Edhe Franca është në kontakt për riatdhesimin e 11 shtetasve të dyshuar për lidhje me Shtetin Islamik. Turqia raportohet se strehon në burgjet e saj mbi 1.100 luftëtarë të dyshuar të ISIS. Mbi 700 prej tyre kanë kombësi të huaj, por shtete si Franca, Britania dhe Belgjika deri tani kanë refuzuar t’i marrin përsipër me arsyetimin se u takon gjykatave të vendeve ku ata kanë luftuar që t’i gjykojnë për krimet e kryera.