Presidenti Meta denoncoi planin mafioz të mazhorancës për zaptimin e Kushtetueses

Presidenti Ilir Meta në një konferencë për mediat ka sqaruar sot procedurën ligjore që ka ndjekur për përzgjedhjen e dy anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Kreu i shtetit deklaroi se ka respektuar Kushtetutën dhe ligjin për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Menjëherë pas kthimit nga vizita në Paris kam firmosur emërimin e gjyqtares Marsida Xhaferrllari duke ndjekur procedurën”,- tha Presidenti.

Koment mbi konferencën e shtypit të Presidentit:

Ngritja e Gjykatës Kushtetutës, institucionit më të rëndësishëm në vend, po kryhet nga mazhoranca në formën e një puçi kushtetues. Procedura kushtetuese që ndiqet me emërimet e anëtarëve të kësaj gjykate, ku kreu i shtetit cakton emrin e parë, më pas vijon Kuvendi e Gjykata e Lartë është manipuluar nga PS-ja në mënyrë mafioze. Presidenti zgjodhi emrin e Besnik Muçit, sipas ligjit, ndërsa Kuvendi në vend të emëronte një anëtar zgjodhi këtë të hënë njëherësh dy anëtarë duke shkelur ligjin. Por shkelja më e rëndë është ajo që bëri institucioni i Këshilli të Emërimeve në Drejtësi, (KED) që drejtohet nga Adrian Dovrani. KED kalon në filtër nga ana profesionale, emrat e gjyqtarëve që i dërgohen për zgjedhje kreut të shtetit. Në rastin e Gjykatës Kushtetuese lista e emrave u dërgua qëllimisht me vonesë, për të djegur afatet, dhe me renditje të parregullt në Presidencë duke shkelur ligjin. Për këtë arsye, kreu i shtetit refuzoi procedurën, por KED publikoi në Fletoren Zyrtare emrin e Arta Vorpsit si anëtare të Gjykatës Kushtetuese, më që ishte e renditur e para në listën me 4 emra që duhet të zgjidhte kreu i shtetit. Pra, KED ka marrë përsipër të bëjë rolin e Presidentit të Republikës, duke argumentuar se Presidenti kishte 30 ditë afat të vendoste. Pretendimi i KED është një tallje me ligjet dhe fyerje për institucionet. Për këtë qëllim, Presidenti Ilir Meta vendosi dje të dekretojë si anëtare të Gjykatës Kushtetuese, Marsida Xhaferrllarin, duke zbatuar Kushtetutën që i njeh atij të drejtën e emërimit të anëtarëve të kësaj gjykate.

Nga mënyra sesi është zbatuar procedura e emërimeve për Gjykatën Kushtetuese rezulton se KED, një institucion që ka detyrë të merret me procedurën e ligjit, ka marrë kompetencat e Presidentit të Republikës duke emëruar, sipas dëshirës, një anëtare gjykate. Shkelja është e qëllime dhe e orientuar nga Partia Socialiste. Emrat që përzgjodhi KED janë njerëz që nuk kanë marrë dot shkollën e magjistraturës dhe nuk kanë dhënë asnjë vendim ligjor gjatë gjithë karrierës së tyre. Lidhur me këto procedurë që shkelin rëndë Kushtetutën dhe minojnë vet Gjykatën Kushtetuese, Presidenti Ilir Meta doli mbrëmë në një konferencë për mediat. Me tonet më të ashpra që ka përdorur gjatë kohës që është zgjedhur në krye të shtetit, Ilir Meta denoncoi këto tentativa të PS dhe veglave të saja në sistemin e drejtësisë. Presidenti u shpreh se KED dhe kryetari i saj, Adrian Dovrani kanë bërë lojëra mafioze kundër Presidentit të Republikës.

“Është detyra e KED të rregullojë listat e vakancave të kandidatëve, të kritereve dhe të afateve, që të respektohet Kushtetuta, të respektohet ligji, dhe të mos kemi përplasje mes institucioneve. Nuk është e kundërta, që KED, që është institucion kolegjial, apo akoma më keq, kryetari i KED, të bëjë lojëra të karakterit administrativ, duke vendosur vetë kohën se si i dërgon listat, në mënyrë të tillë tepër të dyshimtë, madje mafioze, që të vendosë Presidentin në këtë pozitë, që o të shkelë detyrimisht Kushtetutën, që thotë qartë se presidenti plotëson vakancën e parë dhe parlamenti të dytën, ose me interpretime qesharake dhe absurde thotë se i ka mbaruar afati presidentit, kjo është absurde, e turpshme, mafioze”,- tha kreu i shtetit.

Presidenti Meta tha se gjithë tentativa që është bërë ka qëllim kapjen e Gjykatës Kushtetuese, pasi kandidatët që u zgjodhën nga Kuvendi dhe KED ishin paracaktuar si fitues. “Kemi situatë ku të gjithë kandidatët janë thuajse të përcaktuar. Kjo do të thotë se nuk ka praktikisht zgjedhje. Kryetari i KED ka bërë veprime antikushtetuese. Presidenti ka komunikuar me KED që herët, por ka komunikuar edhe me parlamentin. Ne nuk kemi dashur te jemi në situatë ngërçi. KED e ka vënë presidentin në situatë të vështirë. Presidenca nuk është njësoj si parlamenti. Në parlament përgjegjësia është kolektive, kurse në Presidencë vetëm presidenti merr përgjegjësi, andaj kam treguar kujdes. Nuk donim aspak krizë institucionale. Këto janë lojëra për të kapur Gjykatën Kushtetuese”, – tha Ilir Meta.

Presidenti deklaroi se Gjykata Kushtetuese nuk u bllokua për shkak të Vettingut, por sepse në institucionet e reja të drejtësisë u vendosën ushtarë të Partisë Socialiste që bllokuan proceset. “U kam thënë se ne kemi bërë një marrëveshje, kur kemi vendosur që Gjykata Kushtetuese të kalonte në Vetting, se ajo nuk do ngelej asnjë ditë e mbyllur. Mund të kishte vakanca, por jo zero anëtarë. Nuk ka ndodhur kjo situatë prej Vettingut, por se në krye të KED erdhi një ushtar i verbër i partisë. KED e parë u bllokua se nuk iu pëlqyen emrat, pastaj u vendos një ushtar i partisë, që vë në pozitë Presidentin, që ose të shkelë Kushtetutën me pahir, ose me lojëra të tillë të turpshme, që as ca fëmijë rrugeçër nuk i bëjnë. Kjo është e vërteta”,- deklaroi Meta. Denoncimi i kreut të shtetit, një nga më të ashprit, kundër qeverisë “Rama” është një sinjal se procedura për krjimin e Gjykatës Kushtetuese është kthyer në një puç kushtetues ku qeveria synon kontrollin e organit më të rëndësishëm të drejtësisë.

Mazhoranca e diktuar nga kryeministri Rama po punon që të marrë gjykatën kushtetuese dhe gjykatën e lartë, pasi institucionet e tjera i ka zaptuar. Por Presidenti Meta tha prerë se do të jem në krye të shtetit deri me 24 korrik 2022. Jam betuar, tha Meta në konferencën e shtypit, për të mbrojtur Kushtetutën dhe se nuk ka forcë që e ndalon në mbrojtje të saj.

Mili Xhani

LEXONI EDHE…