”Përgjigjje në gjuhë të huaj?”, Marku: Duke parë, duke bërë…

Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku ka qenë e para në listë që ka dalë para Këshillit të Lartë të prokurorisë, për të kërkuar sërish një mandat. Në fillim të seancës së intervistimit, Marku u pyet nga kreu i KLP, Gent Ibrahimi nëse do të ishte e gatshme t’u përgjigjej pyetjeve të disa ekspertëve ndërkombëtarë në gjuhë të huaj apo do përgjigjet në shqip.

Përgjigja e Markut ishte “duke parë, duke bërë”, duke ngjallur reagime tek ekspertët e huaj. Më pas ajo ka folur për jetën e saj, edukimin dhe punën si prokurore duke deklaruar se ka një eksperiencë të mirë si në hetimin e veprave të ndryshme penale edhe në koordinim dhe se prej dhjetorit të 2017 mban postin e PP përkohësisht.

”Pata kurajën të bëhem pjesë e garës, e dija që nr.kandidatëve do ishte i kufizuar për shkak të kritereve ligjore. Periudhë e mjaftueshme për të fituar një eksperiencë të mirë. Ka qenë një periudhë jo e lehtë, sistemi ishte në reformim të thellë. Vitin e parë të punës nuk ka pasur as KLP, ka qenë një terren aspak i lehtë. S’mund të kesh rezultate nëse mungojnë disa hallka të sistemit, e me kompetenca të kufizuara”.