Paketa e re fiskale/ Kush bën dy ose tre punë duhet të deklarojë të ardhurat

Aktualisht në Shqipëri, ata që kanë të ardhura vjetore më pak se 2 milion lekë n uk kanë detyrimin që të bëjnë deklarimin vjetor të të ardhurave. Por duke nisur nga 1 janari,kjo dispozitë nuk do të aplikohet për individët që janë të punësuar në më shumë se një punëmarrës,pra që bëjnë dy apo tre punë.

Sikurse rezulton aktualisht, p.sh. individët e dy apo trepunësuar me paga nën 30 000 lekë nuk janë subjekt i tatimit mbi të ardhurat personale, pasi të ardhurat nga punësimi deri në 30 000 lekë nuk tatohen. Ndërkohë të ardhurat totale reale të tyre duke qenë se janë nga disa burime janë mbi këtë nivel.

Për të pasur trajtim të njëjtë tatimor ndërmjet individëve që i sigurojnë të njëjtën vlerë të ardhurash nga disa burime punësimi me ata që i sigurojnë vetëm nga një burim punësimi, propozohet që të jenë objekte të tatimit mbi të ardhurat nga punësimi të dyja kategoritë e individëve, duke dorëzuar deklaratë individuale vjetore të ardhurash edhe nëse realizimi i të ardhurave individuale vjetore është më i vogël se 2 milionë lekë” shkruhet në relacionin e projektligjit.

Referuar të dhënave, numri i individëve që kanë bëjnë deklarata individuale vjetore të të ardhurave për vitin 2018 është 9 615, ndërkohë që numri i punëmarrësve që janë të punësuar në më shumë se një vend pune për vitin 2018 është 31 737 dhe për 9-mujorin e vitit 2019 është 35 558.