“Masakrojini banorët”, Manushaqe: Qindra të arrestuar e proceduar në Astir, asnjë për aferën korruptive

Avokati Artan Manushaqe ishte i ftuar në Fax Neës ku foli për situatën e djeshme të krijuar në Astir, me përplasjen mes banorëve dhe Policisë e cila kishte shkuar për të mbarëvajtur punën e IKMT-së në shembjen e banesave në kuadër të projektit të Unazës së Re.

Manushaqe tha se e gjithë kjo ndodh për shkak të korrupsionit ndërsa shton se me qindra banorë janë proceduar, arrestuar dhe ndaluar e nga ana tjetër, askush që ka marrë pjesë në aferën korruptive nuk është marrë nën hetim

“Për shkak të korrupsionit dikujt do ti shembet banesa, dikujt do ti shembet dyqani e dikujt një objekt me të cilin mban familjen. Disa nuk janë kapur në kamera, ata (punonjësit e policisë), kanë ardhur me ide të qartë dhe të urdhëruar, “shkoni dhe masakrojini banorët e astirit”.

300 fletë-arresti, 400 të proceduar dhe rreth 600 janë ndaluar nga banorët e Astirit dhe asnjë nga ata që janë përfshirë në aferën korruptive nuk është shqetësuar. Tenderi i zgjatimit të Unazës së Re është korruptiv. Dhuna thjesht ka përkeqësuar situatën në Astir, të gjithë ata që kanë përdorur dhunë ndaj banorëve duhet të mbajnë përgjegjësi. Si mund të dhunosh të moshuarit që protestojnë? Ligji parashikon të shpronësojë edhe ata që janë në proces legalizimi.

E garantojnë konventat europiane që duhet të ketë shpronësim të drejtë. Nuk është problem i trafikut që po bëjnë këtë investim, por është shkatërrimi i Unazës së Re dhe aferat korruptive përfshirë edhe devijimin e Lanës.

Mendoj se mund të bëhëj më shumë mbështetje për banorët e Astirit, por nga ana tjetër Rama ka arritur ti përçajë edhe vetë banorët”, tha Manushaqe.