Mali i Zi lë “thatë” idenë e Shengenit ballkanik: Humbje energjie, ne i kemi hapur kufijtë

Ministrja e Ekonomisë e Malit të Zi, Dragica Sekuliq, hodhi poshtë idenë për t’iu bashkuar një versioni ballkanik të zonës Shengen, që synon të heqë pengesat për tregtinë e lirë dhe udhëtimet midis Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Serbisë, Kosovës e Bosnjë-Hercegovinës.

Ministrja Sekuliq tha se bashkimi në nismën mini-Shengen për shtetet e Ballkanit e propozuar nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia është një humbje energjie, shkruan sot “Koha Ditore”.

Ajo ka sqaruar se si Mali i Zi tashmë “i ka hapur kufijtë e tij” dhe se ka hequr barrierat tregtare për fqinjët.

Sekuliq ka thënë:

I kuptoj nismëtarët. Këto janë vende që, për shkak të barrierave të ndryshme tregtare që i kanë vendosur njëri-tjetrit, mund të ketë nevojë për një iniciativë të re për të premtuar përsëri se ata do të bëjnë atë që ne e kemi bërë prej kohësh”.