Makina humb kontrollin dhe përplaset me bordurën në Laç-Lezhë, plagoset shoferja (Video)

Një aksident është regjistruar sot në rrugën Laç-Lezhë, ku për pasojë një vajzë e re ka mbetur e plagosur. Ngjarja në fjalë ndodhi afër mbikalimit të Laçit. Raportohet se automjeti tip ‘Toyota’ me targa AA 915RA e drejtonte një vajzë rreth 25 vjeç, e cila udhëtonte e vetme.

Burime policore thanë se e reja pasi ka humbur kontrollin e mjetit dhe është përplasur me bordurën anësore të rrugës, ndërsa ka mbetur e plagosur. Të njëjtat burime sqarojnë se ka dyshime që shkak i aksidentit mund të jetë bërë lagështia në rrugë.

Aktualisht në vendin e ngjarjes ndodhet policia, ndërkohë që drejtuesja e mjetit është transportuar në spital. Janë siguruar pamjet nga vendi i ngjarjes, ku shihet se mjeti ka pësuar dëmtime të mëdha nga përplasja.