Ish-ministri Manjani: Republika e Bosit!

Nga Ylli Manjani

A jemi ende Republikë Kushtetuese?

Në letra ashtu figurojmë, por në praktikë vështirë të njihemi si Republikë Kushtetetuese.

Kushtetuta, ligji themelor suprem që garanton një shtet të organizuar në pushtete të ndara nga njëra anë dhe, individin që gëzon liritë dhe të drejtat e tij nga ana tjetër, është jashtë funksioni.

Republikën tonë e terezit pushteti monist i një njeriu të vetëm, bosit. Ai vizaton, zhgarravit, deklaron e flet përçart dhe të gjithë ata që paguhen nga shteti i shkojnë pas fijes.

Nga ana tjetër Republika jonë më shumë sesa Kushtetutën ka për ligj, deklaratat e ambasadorëve, të Palmerit, Hahn e të ndonjë tjetri sipas interesit. Kujtoj se me fjalën e shokut Palmer Republika jonë mbajti votime moniste dhe hodhi në kosh kryetarin e shtetit. Tjetër gjë që ODIHR e në vijim Komisioni i Venecias post factum, konfirmuan rënien e Republikës.

Pra kemi një Republikë e bosit që merr tarbietet e tij dhe, që qëndron në këmbë me makiazh diplomatik burokratësh gjithfarë.

Prova të dhunimit, shkeljes e deri edhe mohimit të lirive dhe të drejtave themelore të shtetasve ka çdo ditë. Dhunë ekstremisht joproporcionale të qeverisë ndaj qytetarëve ka çdo ditë.

Qartësisht kjo është Republike e pushtetarit dhe jo e qytetarit.

Prova që shteti nuk është i organizuar sipas pushteteve të ndara duket qartë sa herë mblidhet formalisht Parlamenti dhe sa herë që Prokuroria reagon pas deklaratave të Bosit.

Por nuk duhet të nxjerrim nga memoria provat që Republika jonë, jo vetëm nuk i ka pushtetet e ndara, por është edhe e pa organizuar sipas Kushtetutës.

Kujtoj se :
1. Parlamenti duhet të ketë 140 mandate përfaqësuese. Praktikisht ka vetëm 120.
2. Qeveria ka Kryeministër dhe Ministra. Në fakt ka Kryeministër dhe zëdhënës të tij. Edhe formalisht, kryeministri është dhe ministër i jashtëm.
3. Qeverisja vendore drejtohet nga organe të zgjedhura. Në fakt sundohet nga të emëruar të Bosit, disa syresh dhe kriminelë të hershëm.
4. Drejtësia e pavarur drejtohet nga Gjykata e Lartë. Në fakt nuk drejtohet më fare sepse Gjykata e Lartë është shkrirë.
5. Zbatimi i Kushtetutës, ai liritë themelore ashtu edhe mosmarrëveshjet ndërmjet pushteteve garantohen mga Gjykata Kushtetuese. Kjo e fundit përbëhet nga 9 gjyqtare. Në fakt mezi janë bërë 5 dhe si dihet fundit ende.
6. Prokuroria drejtohet nga Prokurori i Përgjithshëm. Në fakt drejtohet nga një e përveçme, e preferuar e pushtetit politik.
7. Korrupsioni luftohet nga SPAK. Në fakt SPAK është ende në letër.
8. Financat publike kontrollohen nga KLSH. Në fakt nuk kontrollohen më fare sepse nuk ka KLSH.
9. Populli ushtron sovranitetin edhe në mënyrë të drejtpërdrejtë. Në fakt referendume nuk ka dhe tashmë edhe zgjedhjet nuk garantohen. Edhe KQZ është çyryk në anëtarësi…

Këto institucione parashikohen në Kushtetutë, por nuk janë në realitet. Nuk po guxojmë të flasim sa të mira, të drejta e funksionale janë. Jo!
Thjesht nuk janë fare, po fare fare siç i ka shkruar Kushtetuta.

A quhet dot Republikë Kushtetuese?!

Ah, po!

Fajin e ka Macron.
Të mos e harrojmë edhe këtë…